Veliaj në Farkë: Angazhimi ynë, trajtim të barabartë për të gjithë

Kandidati i së majtës për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj në kuadër të takimeve elektorale pasditen e të dielës ka ndaluar në Farkë ku u ka bërë apel të gjithë qytetarëve që të dalin e të votojnë, pasi siç theksoi ai edhe një votë e vetme mund të sjellë ndryshime.

Më tej Veliaj deklaroi se qytetarët janë para dy zgjidhjeve, e para të vazhdojnë kështu siç janë dhe e dyta të bëjnë një zgjidhje që gjërat të ndryshojnë radikalisht.

“Angazhimi ynë është që të kemi trajtim të barabartë. Nëse deri dje qeveria e kaluar i trajtonte njerëzit me standarde të dyfishta, i ndante në të majtë dhe në të djathtë, në qytetarë e katundarë, në njerëz të periferisë dhe njerëz të bllokut, Qeveria jonë, bashkia jonë e re, i trajton njerëzit të gjithë njësoj, të gjithë si qytetarë të Tiranës, të bashkisë më të madhe që do të ofrojë shërbimet më të mira dhe që do t’i respektojë njerëzit njësoj, pavarësisht nga bindjet politike dhe vendbanimi”, tha Veliaj.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të votojnë, pasi edhe një votë e vetme bën diferencën, duke theksuar se  opozita nuk ka një model qeverisjeje të pushtetit vendor.

“Është e rëndësishme që gjithë këtë energji ta çojmë në kutinë e votimit dhe të sigurohemi që të gjithë të jenë aty në datën 21 qershor. Për herë të parë kemi gjysmën e Këshillit Bashkiak me zonja gra dhe vajza të nderuara të Tiranës. Jemi sot koalicioni më i emancipuar sepse nuk ishte rastësi, ishte vendim, ishte zgjedhja jonë, që për herë të parë të kemi një pushtet që është i ndarë në mënyrë të barabartë mes djemve dhe vajzave, mes burrave dhe grave”, u shpreh ai.

SHKARKO APP