Veliaj: Në lagjet e reja do të ketë jetë 24 orë, jo vetëm rezidenciale, por dhe administrative dhe artistike
Lagjet e reja të Tiranës, të cilat do të ringrihen pas tërmetit të 26 nëntorit, do të jenë lagjet model të Shqipërisë së të ardhmes. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në një intervistë për “Fax News”, ka shpjeguar idenë e “Qytetit 15-minutësh” mbi të cilën është ndërtuar filozofia e funksionimit të dy lagjeve të reja në kryeqytet, të cilat nuk do të shërbejnë vetëm për banim, por do të ketë dhe institucione zyrtare dhe kulturore të cilat do t’i japin interaktivitet këtyre zonave.
”Zona e “5 Majit” do të jetë rezidenciale dhe administrative. Do të jenë zyrat e reja të Doganës, të Tatimeve, Hipoteka, Legalizimet, pra, shumë prej shërbimeve publike do të transferohen aty, sepse nuk duam që të ketë stigmën e një zone ku kanë shkuar vetëm nevojtarët e tërmetit. Pra, jo vetëm ultramoderne, por të ketë jetë 24 orë, paradite me administratën dhe pasdite me njerëzit që kthehen nga puna në lagjen e re. Në Kombinat miksimi do të jetë rezidenciale dhe artistike. Do të kemi disa muzeume, një shkollë të dizajnit, shkollën e re të arkitekturës, muzeun e arteve moderne, ekzaktësisht, për ta jetuar edhe atë lagje 24 orë. Pra, të jetohet paradite me turizëm, me universitetin, me studentët dhe pasdite pjesa rezidenciale. Është ajo që po rekomandohet kudo në Europë dhe që quhet “Qyteti 15 minutësh”. Pra, të kesh mundësi që në një rreze prej 15 minutash ecjeje në këmbë, të kesh shumicën e shërbimeve të përqendruara aty”,-u shpreh Veliaj.
Nga ana tjetër, kryebashkiaku tha se rindërtimi i lagjeve të reja do të bazohet në modelin e Bulevardit të ri. ”Në lagjet e reja duam të nxjerrim pak mësime nga lagjet e vjetra, – legalizime jashtë kritereve, prona të kthyera jashtë kritereve, abuzime e çudira shqiptare që duhet të marrin fund, – duhet t’i ngjajnë Bulevardit të ri. Fillimisht bën infrastrukturën, pastaj bën ndërtesën. Do bëhen gjërat për së mbari. Besoj që do kemi lagjet model të një Shqipërie të së ardhmes”,-u shpreh Veliaj.