Veliaj në Napoli, takohet me homologun De Magistris
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ishte i ftuari i nderit në edicionin e XIX të Konventës së Sipërmarrësve të Ndërtimit të Italisë, e mbajtur në Napoli, si kryetari i qytetit që vitet e fundit ka pësuar një rilindje infrastrukturore dhe ekonomike, duke tërhequr investitorë dhe promovuar vendet e reja të punës.
Gjatë vizitës në Itali, kryebashkiaku Veliaj u prit në një takim edhe nga kryetari i Bashkisë së Napolit, Luigi de Magistris, me të cilin diskutoi mbi mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik, politik dhe social midis dy qyteteve. Duke theksuar se Tirana dhe Napoli kanë shumë të përbashkëta, Veliaj tha se kryeqyteti shqiptar është sot një qytet që po transformohet çdo ditë. “Napoli është i ngjashëm me Tiranën.
Vite më parë ishte një vend me reputacion shumë të ulët, mbushur me plehra dhe një vend që shmangej nga turistët. Pësoi një rilindje dhe një rikuperim të kësaj energjie. Ndaj, rikuperimi i energjisë së Tiranës gjatë kohës së Edi Ramës, por më pas edhe me administratën e re, i ngjan shumë Napolit”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.
Ai tha se shumë shpejt ky takim i rëndësishëm do të pasohet nga vizita e kreut të Bashkisë së Napolit në Tiranë për të hedhur themelet për çfarë mund të bëjnë dy qytetet në fusha si turizmi, agrikultura, teknologjia e informacionit. Në fjalën e tij para sipërmarrësve italianë, Veliaj prezantoi ndryshimet që ka pësuar Tirana gjatë këtyre tre viteve, si dhe politikat lehtësuese për thithjen e investimeve të huaja.
“Konventa e ndërtuesve dhe zhvilluesve të Italisë ishte një mënyrë fantastike për të promovuar incentivat që ka krijuar qeveria shqiptare për investitorët e huaj. Krahasuar me taksat italiane, që janë mbi 50%, qeveria e kryeministrit Edi Rama i ka taksat deri në 15%. Kjo do të thotë se për shumë investitorë italianë, që janë lodhur me taksat e burokracinë, Shqipëria është një vend ideal për të investuar”, tha ai.
Kreu i Bashkisë së Tiranës nënvizoi se shumë prej operatorëve turistikë të hoteleve apo investitorë në fushën e ndërtimit cilësor, sidomos në zonat bregdetare apo edhe në Tiranë, e shohin Shqipërinë si një vend ideal. Veliaj siguroi se Tirana dhe Shqipëria ofrojnë një sërë mundësish, sidomos për investitorët strategjikë, për të cilët qeveria ka krijuar ulje të konsiderueshme të taksave.
E themeluar që në vitin 1946, ANCE përfaqëson industrinë italiane të ndërtimit, pjesë e së cilës janë rreth 20.000 kompani private, të specializuara në vepra publike, ndërtime për banesa, ndërtime tregtare apo industriale, etj.
KOHA JONË SONDAZH

