Veliaj në njësinë 7,9,11: Nese nuk votoni nuk keni të drejtë të ankoheni

 

Nga Erion Veliaj.

Faleminderit të gjithëve dua të shoh të gjitha duart lart. Faleminderit nga zemra për energjinë fantastike. Faleminderit për kurajon, faleminderit për një fushatë spektakolare pozitive. Dua të falënderoj nga zemra të gjithë aktivistët në njësinë numër 7, falënderoj nga zemra të gjithë aktivistët e Njësisë numër 9. Një përshëndetje të madhe dhe një falënderim për Laprakën, Njësia numër 11.

Kjo është java e fundit e fushatës, edhe 6 ditë për fitoren. Ngrini dorën nëse do jeni aty për fitoren tonë, të aleancës tonë dhe për ta çuar të gjithë Tiranën në drejtimin e duhur. Edhe 6 ditë për fitoren. Edhe 6 ditë që ta zgjojmë Tiranën nga gjumi. Edhe 6 ditë që të nisim punën  për të rregulluar Tiranën tonë. Tirana është zemra jonë e lënë pas dore në këto 4 vjet. Tirana është shtëpia jonë e lënë pa pastruar për 4 vjet. Tirana është jeta jonë e rrënuar këto 4 vjet. Tirana është historia jonë e nëpërkëmbur këto 4 vjet. Tirana është e ardhmja jonë, do ta marrim nën kontroll për 6 ditë. Të gjithë bashkë.

Miqtë e mi, këto 4 vjet në çdo njësi ku kemi shkuar, në çdo rrugë ku kemi takuar njerëz, në çdo shtëpi ku jemi mirëpritur, kemi takuar njerëz që janë të shqetësuar për Tiranën, që janë të mërzitur për Tiranën, që janë të zhgënjyer nga Tirana, se bashkia nuk ju shërbeu dhe ndihen të tradhtuar se qytetarët nuk ishin të parët këto 4 vjet.

Miqtë e mi, ka një lajm të mirë. Ka ardhur koha jonë, ka ardhur ora jonë, ky është momenti ynë. Kjo javë do të sjelli fitoren tonë. Të dielën në 21 qershor të gjithë bashkë për fitoren. Kam një apel për të gjithë ata që janë të mërzitur, kam një apel për të gjithë ata që janë të zhgënjyer në këto 4 vjet, kam një apel për të gjithë ata që ndihen të tradhtuar këto 4 vjet nga kryetari i Bashkisë.

Nëse zgjohesh çdo ditë në mëngjes dhe i gjen plehrat te dera, mos u anko, por voto drejtimin e duhur. Nëse zgjohesh çdo mëngjes dhe nuk gjen një vend parkimi, mos u anko, por voto për drejtimin e duhur. Nëse çon fëmijët në shkollë dhe je i shqetësuar pse ulen nga 3 veta në bankë dhe bënë mësim me dy turne, mos u anko, voto drejtimin e duhur. Nëse jeton në lagjet tona dhe rrugët janë pa ndriçim, mos u anko, me një votë ke mundësi të zgjedhësh drejtimin e duhur. Nëse nuk je i kënaqur nga mënyra sesi shërbehet në tregjet tona, mos u anko por voto drejtimin e duhur që të fitojmë. Nëse nuk të pëlqen ajri i ndotur i Tiranës, e ke vet në dorë, me një votë mund ta ndryshojmë dhe ta pastrojmë Tiranën. Nëse te kopshti apo çerdhja e lagjes tënde nuk kishte vend këtë vit për fëmijën tënd, e ke vet në dorë, me një votë ndërto kopshtet dhe çerdhet që duam. Nëse transporti publik nuk është aty për ty, nuk vjen në orar, nuk shërbehet, mos u anko, por ndryshoje, me një votë mund të bësh ndryshimin dhe ta çosh Tiranën në drejtimin e duhur.

Miqtë e mi, në 6 ditët që na kanë mbetur, është e rëndësishme që secili prej nesh të punoj fort, që çdo votë, çdo njeri, çdo banorë të vij në ditën e votimit. Asnjë prej nesh nuk ka të drejtë, as të ankohet, as të qahet, nëse nuk voton. Nëse jemi të zhgënjyer nga 4 vitet e gjumit me gërhimat, nëse jemi të zhgënjyer nga 4 vite që nuk pastrohet qyteti, nëse jeni të mërzitur nga shkollat me dy turne, nëse nuk na pëlqen cilësia e transportit publik, të shkojmë të votojmë se e kemi vet në dorë.

Këto 6 ditë ju ftoj të gjithëve të trokisni në çdo derë të lagjes tuaj, ti shtrëngoni dorën çdo njeriu në komunitetin tuaj, të takoni çdo banorë dhe t’u thoni se nëse nuk voton, nuk ke të drejtë të ankohesh. Nëse nuk voton nuk ke të drejtë të qahesh. Një votë e bën diferencën midis një qyteti që nuk pastrohet dhe një qyteti që pastrohet. Një votë e bën diferencën midis shkollave me dy turne dhe shkollave me standarde. Një votë e bën diferencën midis transportit publik që duam dhe një transporti publik që nuk vjen kurrë në nivelin e qytetarëve. Një votë e bën diferencën që Tirana të ketë ujë 24 orë me Tiranën që nuk ka ujë në çezmat tona.

Miqtë e mi, nëse jeni nga ata që banojnë në 400 pallatet pa hipotekë, mos u ankoni, por votoni. Një votë e bën diferencën. Nëse jeni banorë të zonave që po presin legalizimet, mos u ankoni pse nuk u legalizuan 8 vitet e Saliut, një votë bën diferencën dhe e vendos bashkinë në shërbim të legalizimeve dhe hipotekave për të gjithë qytetarët.

Miqtë e mi, sot kandidati tjetër u takua me shoqatën e betonit dhe u tha që jam 24 orë në dispozicionin tuaj. Unë jam 24 orë në dispozicion të qytetarëve që duan parqe, që duan gjelbërim, që nuk duan më beton, që nuk duan më ndërtime në Tiranë, që nuk duan t’u zihen lulishtet e gjyshërve dhe të fëmijëve nga betoni. Kjo është diferenca.

Sali Berisha dhe Lulzim Basha e kishin 4 vjet Tiranën, e pamë çfarë ishin në gjendje të bënin, e pamë si e shkatërruan, e pamë si e poshtëruan, e pamë se si e thyen Tiranën. Ju ftojmë të gjithë të ngrini kokën lart, ngrini trupin lart, ngrini duart lart, ne nuk dorëzohemi, ne do të fitojmë Tiranën, do të fitojmë në Njësinë 7, do të fitojmë në Njësinë 9, do të fitojmë në Njësinë 11.

Në këto ditë duhet të sigurohemi që çdo banor i Fushës së Aviacionit vjen në drejtimin e duhur, që çdo banor i Fushës së Nishrakut vjen në drejtimin e duhur, që çdo banor i Kodër Kamzës, i Institutit, i Treshit, i Laprakës, vjen në drejtimin e duhur, që çdo banor i Don Boskos, i Mine Pezës, i Jordan Misjes, të vijë në drejtimin e duhur. Ky është momenti ynë, kjo është fitorja jonë. Kjo do të jetë fitorja jonë për Tiranën tonë.

Ju jeni ekipi ynë, ju jeni skuadra jonë, ngrini duart nëse kjo është Tirana që duam, nëse do ta çojmë në drejtimin e duhur, nëse të gjithë bashkë do të punojmë për një Tiranë që punon 24 orë në ditë, për një Tiranë që punon 52 javë gjatë gjithë vitit, për një Tiranë që punon 365 ditë në vit dhe që shkon në drejtimin e duhur.

Ju faleminderit nga zemra të gjithëve dhe mezi pres që të dielën të shihemi të gjithë bashkë për të çuar Tiranën në drejtimin e duhur.

SHKARKO APP