Veliaj në Vorë: Vota për Blerim Sherën është votë për fëmijët tuaj!
Drejtuesi politik i PS-së për qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, në takimin përmbyllës të fushatës për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 Marsit, ka kërkuar nga qytetarët e Vorës të votojnë për Blerim Sherën. Është shumë e rëndësishme, tha Veliaj, kë zgjedhim në krye të punëve dhe këtë po na e provon çdo ditë, jo vetëm situata politike në vendin tonë, por edhe zhvillimet ndërkombëtare. Duke iu drejtuar banorëve të Vorës, të cilët të dielën do i drejtohen kutive të votimit, Veliaj tha se vota për Blerim Sherën është për të ardhmen e familjes së tyre, e cila vjen e para për Partinë Socialiste.
“Më kujtohet fjalimi i Presidentit të Ukrainës në Parlament – siç bëri edhe Edi Rama kur erdhi në qeveri, duke hequr fotografinë e presidentit dhe zyrtarizoi fotografinë e Ismail Qemalit, – ku u tha deputetëve një gjë shumë të rëndësishme: “Nuk dua të mbani foton time nëpër zyra. Dua të mbani foton e fëmijëve tuaj, që kur të merrni një vendim të mos thoni si e do Presidenti votën, por si do ta donin fëmijët e mi votën”. Për të gjithë ata që janë demokratë, apo ata që ndoshta mund të kenë shkuar në parti të tjera si LSI, që sot janë shuar komplet, pyetja është: Do votojmë liderin historik që mund të na ketë ngelur për inerci nga vitet ‘90, apo do votojmë për fëmijët tanë? Nëse do votojmë për fëmijët tanë, ja ku është mësuesi i fëmijëve! Blerim Shera është mësuesi, drejtuesi, psikologu, këshilltari i fëmijëve. Duhet të votojmë për fëmijët dhe për atë që i ka qëndruar afër fëmijëve të Vorës edhe para se të bëhej kryetar bashkie,” deklaroi Veliaj.
Ai gjithashtu, iu bëri thirrje qytetarëve të mos e harxhojnë votën për një bravë, apo një dryn. Është hera e parë, tha Veliaj, që në Shqipëri vihet bast se kush do humbasë.
“Ata të vazhdojnë me bastet, sepse për ta politika është sport dhe prandaj e trajtojnë si bast. Njëri thotë, “vë bast, del Luli i fundit.” Tjetri thotë, “vë bast që del Saliu”. Jo vetëm që e kanë si sport dhe e trajtojnë si plaçkë, por edhe garën e kanë për nga fundi. Ne jemi të qartë! Jemi duke bërë garën kush del i pari dhe do jetë Blerim Shera, PS, numri 2, skuadra dhe familja jonë e mrekullueshme këtu në Vorë”.