Veliaj: “Nga e hëna, do ta kthejmë Tiranën në punë. Ata shesin frikë, ne mbjellim shpresë”

 

Unë jam sot njeriu më me fat, më previlegjuar dhe më i përulur që ka propozimin e Partisë Socialiste dhe mbështetjen e Aleancës më të madhe politike në historinë e zgjedhjeve shqiptare për t’i shërbyer qytetit tim, si kryetar i ardhshëm i Bashkisë së Tiranës. Jam sot shumë i lumtur që koalicioni ynë është një koalicion përtej së majtës dhe së djathtës sepse ky është qytet që ka nevojë për shërbime përtej së majtës dhe së djathtës. Tirana jonë është një vend jashtëzakonisht bujar, një vend që ka hapësirë për të gjithë, që ka hapësirë për veteranët dhe të përndjekurit, për tiranasit e vjetër, por edhe për tiranasit e rinj, për studentët që pretendojnë të krijojnë këtu një familje, që e shikojnë Tiranën si një arritje maksimale të ambicieve të tyre, të ëndrrave të tyre, të talentit të tyre. Kjo është Tirana ku besojmë ne. Për këtë Tiranë do të punojmë, duke filluar nga dita e hënë dhe çdo ditë në 4 vitet e ardhshme.

Por, miqtë e mi, Tirana e 4 viteve të fundit nuk ka qenë një Tiranë bujare, nuk ka qenë një Tiranë që ka ofruar mundësi për të gjithë. Ka qenë një Tiranë që i dallonte njerëzit, ca i trajtonte si të nënës dhe ca si të njerkës, disave u shihte teserën e partisë dhe nuk u shërbente, kurse disa të tjerë prej teserës së partisë ngriheshin në kupolën e qytetit tonë. Ka qenë një qytet që nuk ofronte mundësi për të gjithë. Në fakt, në vitin 2011 Tirana ishte etaloni i çdo bashkie: në Korçë thoshin, duam ta bëjmë Korçën si Tirana; në Durrës thoshin, duam ta bëjmë Durrësin si Tirana e Edi Ramës. Në të gjitha qytetet, kandidatët thoshin, duam të ndjekim modelin e Edi Ramës dhe ta bëjmë bashkinë tonë si Tirana e tij. Po kush e thotë këtë sot? A ka sot një bashki, e cila thotë e duam bashkinë tonë si Tirana e Lulzim Bashës? Asnjë!

Miqtë e mi, këto 4 vite nuk kanë qenë vite të bukura për Tiranën. Tirana, nga lokomotiva që tërhiqte të gjithë vagonat e bashkive të tjera, është sot standardi më ulët i shërbimit të qytetit. Jemi këtu të gjithë bashkë për të thënë se ne meritojmë më shumë, duam një Tiranë si ajo e Edi Ramës, që është shembull për të gjitha bashkitë e tjera dhe jo bashkia e fundit me standardet më të ulta në Republikën tonë. Miqtë e mi, ka 30 ditë që teksa po bëjmë këtë fushatë, po shikojmë se si dallojnë fushatat tona. Fushata e tyre po shet frikë, po u thotë njerëzve se po vjen dita e qametit, po u thotë se po vjen fundi i botës, po vjen fundi i kohërave. Nuk po vjen fundi i asnjë bote dhe asnjë kohe, veçse fundi i kohës së atyre që kanë nëpërkëmbur dinjitetin e Tiranës dhe dinjitetin e shumë bashkive në Shqipëri.

Ata shesin frikë, ne mbjellim shpresë! Kjo është diferenca e fushatave tona. Ata do të hyjnë në histori si të vetmit që e shesin kaosin si kompetencë, e shesin dështimin si sukses. Faktin që Tirana sot është e rrënuar, ka 871 rrugë të shqepura, që s’ka trotuarë, që është kthyer në kalim me pengesa megjithë pusetat që mungojnë, që ka më shumë sheshe ndërtimi se sa parqe, këta e shesin si arritje. Faleminderit shumë, ne arritje të tilla nuk duam më! E duam Tiranën në drejtimin e duhur! Për të gjithë ata që ndoshta për një sekondë në mendjen e tyre kanë menduar realisht që po bëhet qameti me fitoren tonë të pritshme në Tiranë dhe në 60 bashkitë e tjera të Shqipërisë, po ju themi: nuk vijmë për revansh, vijmë që t’ju shërbejmë, vijmë që t’ju respektojmë, vijmë që të punojmë me përulje të gjithë bashkë, nuk vijmë për hakmarrje, vijmë që ta kthejmë qytetin në punë. Kjo është diferenca!

Ne vijmë në Tiranë që të ndërtojmë Kampusin Universitar për të gjithë ata djem dhe vajza të cilët aspirojnë që jetën e tyre ta krijojmë këtu në Tiranë. Ne vijmë në Tiranë që të shërbejmë për të ndërtuar bulevardin e ri, bulevardin e idesë origjinale të Edi Ramës që shton parqet dhe hapësirat e gjelbra, një bulevard që e ndërron moton nga motoja “beton, beton, beton” në moton e re “park, gjelbërim, lulishte”, se për këto ka nevojë Tirana. Nuk vijmë në Tiranë për revansh, por për hyrjen e re nga rruga e Dibrës që falë vendimit të qeverisë së Edi Ramës dhe Ilir Metës do të ndërtojmë Rrugën e Arbrit, e cila do t’i japë Tiranës një rrugë të re, që e lidh me pjesën e veriut të vendit dhe i jep qytetit tonë një dalje tjetër, lehtëson trafikun, shton ekonominë, krijon një hapësirë të re industriale. Nuk vijmë në Tiranë për revansh, por që të punojmë fort, të ndërtojmë unaza të reja që, ashtu siç tha Presidenti Topi, ka që në kohën e Adil Çarçanit që qyteti nuk e ka përfunduar këtë projekt. Duam ta përfundojmë këtë projekt. Vijmë në Tiranë për punë, që unazat e reja të lehtësojnë trafikun dhe ta bëjnë një qytet më të lehtë për njerëzit që jetojnë këtu.

Ne vijmë në Tiranë që të ndërtojmë Pazarin e Ri, të kemi një hapësirë tjetër turistike, të kemi një hapësirë ku vlerësojmë kulturën e vjetër të Tiranës, vlerësojmë artizanët, vlerësojmë kulinarinë, vlerësojmë një hapësirë të qytetit që duhet ruajtur dhe jo kthyer në sheshe ndërtimi për pallate. Ne vijmë në Tiranë jo për revansh, por që të promovojmë kulturën e biçikletave dhe këmbësorëve. T’i japim Tiranës një jetë më të shëndetshme, një masterplan, ku ai që do të pedalojë apo që do të ecë, ta bëjë këtë ashtu siç e bën çdo mbrëmje. Ne nuk vijmë në Tiranë për revansh, por që të përfundojmë projektin e Liqenit të Tiranës. Vijmë që të përfundojmë Parkun Olimpik, që të kemi një Kopsht Zoologjik të ri. Vijmë që të kemi një Kopsht Botanik, që është integruar me pjesën tjetër të Liqenit.

Miqtë e mi, ne nuk vijmë në Tiranë për revansh, vijmë për punë, që ta kthejmë Tiranën në punë, të ndërtojmë edhe Liqenin e Kasharit. T’i ofrojmë Tiranës një hapësirë të re, një mushkri të re, ashtu siç është Parku i Liqenit të Tiranës, të kemi një hapësirë tjetër në Kashar. Ne besojmë që 13 komunat që i bashkohen Tiranës nuk janë një barrë, janë një pajë, janë një mundësi për zhvillim. Ne nuk vijmë në Tiranë për revansh, por për të ndërtuar Parkun e Besimit ku çdo pemë e bimë e Biblës dhe Kuranit të jetë e përfaqësuar në qytetin tonë, që është sot simbol i bashkëjetesës fetare. Dhe për këtë të fundit, dua që t’i uroj të gjithë tiranasve muslimanë dhe të gjithë shqiptarëve muslimanë që sot kanë ditën e parë të agjerimit, gëzuar Muajin e Ramazanit, qoftë një agjërim i pranuar, zoti e bekoftë Shqipërinë dhe Tiranën tonë.

Miqtë e mi, a nuk ishin këta që përpara dy vitesh thoshin se Edi Rama s’ka për t’i bërë legalizimet, se nuk ka për të funksionuar? Ja ku jemi sot, kemi bërë më shumë legalizime se sa ishin bërë në 8 vjet. E mbajtëm fjalën dhe Shqipëria po shkon në drejtimin e duhur. A nuk ishin këta të cilët me politikën e frikës thanë se nuk ka për të ndodhur kurrë që Shqipëria të ketë pensione më të larta mbi 240 mijë lekë? Ja ku kemi sot një reformë pensionesh. Kemi thyer tavanin, po japim një pension social dhe më në fund kemi më shumë njerëz që paguajnë kontribute të sigurimeve shoqërore se sa njerëz që marrin pension. Këta thoshin nuk bëhet, por ja që u bë dhe Shqipëria po shkon në drejtimin e duhur. A nuk ishin këta tregtarët e frikës, të cilët u thoshin të përndjekurve mos i votoni ata të majtët se do ju lënë pa asnjë këst? Ja ku jemi sot, të përndjekurit marrin këstin e pestë, ndërkohë që me partinë e tyre për 8 vite morën vetëm një këst. Ne edhe të djathtëve u shërbejmë të paktën 5 herë më shumë se sa partia e tyre.

Miqtë e mi, a nuk ishin këta që thoshin se në Shqipëri nuk mund të ketë zyra pune? A nuk ishin këta që thoshin se në Shqipëri s’do të ketë kurrë arsim profesional? E treguam si ekip, punuam bashkë, i mposhtëm tregtarët e frikës një herë dhe do t’i mposhtim tregtarët e frikës edhe në datën 21 qershor për të pasur një fitore spektakolare, 24 me 0, në çdo njësi administrative të Tiranës tonë. Miqtë e mi, për herë të parë vendosëm që të mos kishim një program për të gjithë Tiranën, por të kishim 24 programe për 24 njësitë e Tiranës, si 24 kostume të qepura sipas masës, sipas nevojës, sipas dëshirave dhe problematikës të çdo njësie të Tiranës. Tregtarët e frikës thanë nuk ka mundësi, se kryetari i bashkisë nuk mund të merret me pusetat, me ndriçimin, nuk mund të mbledhë plehrat, të shtrojë rrugët. Unë kam një pyetje: me çfarë tjetër duhet të merret kryetari i bashkisë,përveç problemeve të vogla që shkaktojnë një stres të madh për çdo njeri që jeton në Tiranë? Ky është misioni im! Të zgjidhim problemet e vogla që shkaktojnë dramë të madhe në jetën e çdo njeriu që jeton në Tiranë dhe që meriton më shumë.

Miqtë e mi, nuk jam këtu për t’ju thënë se nuk do të marrim vendime të vështira. Jam këtu për t’ju thënë se vendimet e vështira do t’i marrim bashkë, si qytetarë, si këshill bashkiak, si koalicion dhe si banorë të bashkisë më të madhe të Republikës sonë. Miqtë e mi, përpara katër vitesh ne u rrëzuam, përpara katër vitesh ne ramë, përpara katër vitesh ne u penguam në rrugën tonë të zhvillimit. Por, kam një lajm të mirë: katër vitet kanë kaluar, erdhi koha që ashtu siç ramë bashkë, të ngrihemi bashkë. Erdhi koha të ngrihemi! Të marrim mbrapsht Tiranën tonë dhe ta kthejmë në punë 24 orë në ditë, 7 ditë të javës, 365 ditë të vitit. Nëse këto 4 vjet jeni mërzitur, nëse jeni trishtuar me gjendjen fatkeqe të Tiranës tonë, nëse jeni hidhëruar se si u vodh bashkia e Tiranës, se si u vodh si plaçkë, si u trajtua si plaçkë dhe siç e tha Saimir, siç po futet si plaçkë në furgonin e Lulit, dua t’ju them: Mos u ankoni më, mos u hidhëroni më, mos u trishtoni më, për 3 ditë e kemi vetë në dorë, në datën 21 qershor, me aleancën tonë, do ta mposhtim frikën dhe do sjellim ndryshimin në Tiranë.

Miqtë e mi, nëse shqetësohesh për pastrimin e qytetit, e ke vetë në dorë, një votë mjafton dhe qyteti nis të pastrohet të hënën. Unë jam në këtë garë për të gjithë ata prindër që shqetësohen pse fëmijët rrinë nga 3-4 vetë në një bankë, pse 5 për qind e shkollave janë me dy turne. Mos u ankoni më, e keni vetë në dorë, me një votë, sjellim shkolla të reja dhe normalitet në të gjithë sistemin arsimor të Tiranës. Miqtë e mi, nëse shqetësoheni se disa njerëz që jetojnë në komunat trajtohen si qytetarë të dorës së dytë, ndërkohë që ata që jetojnë në Bllok trajtohen si qytetarë të dorës së parë, mos u ankoni më, e kemi vetë në dorë të ndryshojmë Tiranën, për ta çuar atë në drejtimin e duhur.

Faleminderit nga zemra të gjithëve!

 

 

SHKARKO APP