Veliaj nga Vora: PS e do votën për punë dhe shërbim. Luli me Saliun te vetja, për popullin s’pyesin më
Drejtuesi politik i PS-së për qarkun e Tiranes, Erion Veliaj, gjatë një takimi me banorë të Domjes dhe Laknasit, u kërkoi të votojnë për kandidatin e PS, Blerim Shera, si kryetar të Bashkisë së Vorës. Ai tha se Shera është njeriu i punës, që duhet votuar nga të gjithë në 6 mars, edhe nga demokratët e zhgënjyer nga sherret e Lulit me Saliun.
Veliaj tha se të rinjtë janë ata që duhet të bëjnë dallimin mes politikës së mirë dhe asaj të keqe, mes politikës që i bashkon njerëzit, dhe asaj që i përçan.
“Në politikë, po nuk u bëmë të gjithë bashkë për të zgjidhur halle të mëdha, siç ishte tërmeti apo pandemia, nuk i zgjidh dot. Një tubacion mund ta zhbllokosh vetë, një suva mund ta bësh vetë, por nuk mund të bëjë secili vetë shtëpitë për qindra dhe mijëra njerëz. Këtë e bën politika. Por politika, siç mund të bëjë keq, mund të bëjë edhe shumë shumë mirë. Siç mund t’i çojë gjërat mbrapa, mund t’i çojë edhe përpara. Siç mund t’i përçajë njerëzit, siç e kemi parë këtu në Domje, por edhe mund t’i bashkojë. Ju të rinjtë që jeni këtu për herë të parë, besoj se doni ate politiken e mirë, që i bashkon njerëzit, që i çon gjërat përpara, dhe i bën gjërat me punë, jo me sherr, jo me dhunë”, tha Veliaj.
Teksa theksoi se dy të dërguarat e Lulzim Bashës në Rrogozhinë dhe në Vorë, Grida Duma dhe Jorida Tabaku, nuk kanë bërë asnjë punë në Tiranë, Veliaj i ftoi të djathtët e Rrogozhinës që votën ta japin për të ecur para për punën, dhe jo për sherrin.
“Kush është përballë Blerimit? Njëri thotë unë përfaqësoj bravën, pra kulturën me të mbyll derën. Unë i dua votat që t’ia bëjmë per inat Saliut dhe t’i themi: “Shikoje, ne i kemi votat, nuk na i merr dot partinë”. Por për hallet e popullit nuk flet njeri. Ky tjetri nga ana tjetër thotë: “Më jepni votat se unë përfaqësoj varenë”. Pra, unë jam ai i varesë, jam ai që shqyej brava, dhe po të më jepni votat, une do t’ia shqyej braven këtij. Çfarë hallesh kanë këta? Këta kanë hallin e vet. Po populli ku është? Per hallet e popullit nuk flasin. Nuk flasin për shkolla sepse nuk dinë t’i bëjnë, sepse e kishin mundesine dhe nuk i bënë. Në Tiranë me ra goja, i pyes perdite, ore na thoni nje shkolle qe beri Saliu me Lulin në 4 vjet”, tha Veliaj.