Veliaj: Nisim projektin për varrezat murale

Bashkia e Tiranës është në përfundim të punimeve për rehabilitimin e brendshëm të varrezave, si dhe ndërtimin e infrastrukturës së re për shtimin e parcelave. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ishte sot i pranishëm në varrezat e Tufinës, nga ku njoftoi se në këto gjashtë muaj administrata e re ka ecur me ritme të shpejta për të investuar e rehabilituar këtë zonë, si dhe për të paraqitur projektin e ri për varrezat murale.

“Në varrezat e Tufinës kemi krijuar një hapësirë dinjitoze, me hapësira parkimi, si dhe duke sistemuar të gjitha parcelat, për t’u siguruar që çdo qytetar që vjen për të vizituar të afërmit e tij, të gjejë një vend të qetë e jo një vend të rrëmujshëm, që është çdo ditë nën trysninë e ndërtimeve pa leje”, u shpreh Veliaj. Ai theksoi se janë zhbllokuar të gjitha pengesat që ka pasur ky projekt dhe në këto gjashtë muaj, intensiteti është shtuar dhe investimi është pranë përfundimit.

“Për varrezat e Tiranës do të kemi edhe disa investime të tjera, si projekti për varrezat murale. Fillimisht do të nisim me sistemimin e varreve të braktisura, këtu e pesëdhjetë vite më parë, në mënyrë që edhe qytetarët të njihen me këtë proces njerëzor, i cili funksionon në të gjithë botën dhe kursen hapësirat publike”, tha Veliaj. Ai shtoi gjithashtu se po ecet shumë shpejt edhe me çështjen e shpronësimeve në varrezat e Tufinës.

“Në vitet e ardhshme nuk do të kemi vështirësi për hapësira të reja në varreza. Synimi ynë është që këtë vit, siç kemi bërë në Tufinë, të fillojmë edhe me sistemimin e varrezave të Sharrës, për t’u siguruar që përpjekjet tona për dinjitet për qytetarët e Tiranës të përputhen me dinjitetin që kanë qytetarët që prehen këtu”, tha kryebashkiaku Veliaj. Sipas tij, këto ndërhyrje bëhen për të treguar se respekti mes brezave dhe një qyteti që jeton me kujtimet e mira të njerëzve që nuk janë më, është një qytet që ia lëmë trashëgim edhe fëmijëve tanë.

Kryebashkiaku shprehu besimin se një qytet i denjë është ai që kujdeset jo vetëm për të gjallët, por edhe për ata që nuk jetojnë më. “Varrezat e Tufinës dhe Sharrës janë vende të pashmangshme për qytetarët e Tiranës sepse çdonjëri nga ne ka miq, të dashur, që nuk jetojnë më, ndaj besoj se duhet të tregojmë dinjitet dhe respekt për ta”, u shpreh Veliaj.

Deri më tani në varrezat e Tufinës janë shtruar 11 mijë metra katrorë asfaltime, 8600 metra katrorë beton pedonal dhe janë bërë 24 kilometra linja nëntokësore të ujërave të bardha. Gjithashtu, është vendosur edhe një tendë për njerëzit që bëjnë pritje në kohën e shirave, si edhe është kryer rikonstruksioni i zyrave të ndërmarrjes funerale. Krahas sistemit të hapësirave është punuar dhe për infrastrukturën, duke sjellë vendosjen e koshave dhe stolave. Sipërfaqja totale e zonës ku po kryhet ndërhyrja është 230.000 m2. Në zonën e re u krijuan parcela të reja për varreza, të plotësuara me rrugë me shtresa asfaltike, rrjeti përkatës i kanalizimeve, bordura, trotuare dhe mure betoni.

SHKARKO APP