Veliaj: Opozita t’i japë fund kulturës së bllokimit të punëve të qytetit. Në vjeshtë nis ndërtimi i Teatrit

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i bëri thirrje opozitës që të mos bllokojë punët e qytetit, siç bënë te Astiri apo Parku i Liqenit. Në një intervistë për News 24, Veliaj tha se kultura kur bllokohet çdo projekt, duhet të marrë fund. Veliaj tha se ndërtimi i Teatrit të Ri do të nisë ndërtimin këtë vjeshtë. Veliaj u shpreh se këtë verë do të hapet gara dhe pasi të mbyllen procedurat për 60 ditë, në vjeshtë nis ndërtimi, që do të zgjasë dy vjet.

“Ilir Meta dhe Sali Berisha e kanë drejtuar edhe Tiranën, edhe Shqipërinë, por nuk bënë as qytet dhe as shtet. Përkundrazi, vitet e fundit njihen për bllokimin e projekteve. Pra, parimi I tyre është: kur nuk jam unë në qeveri, mos u bëftë asgjë, as në Tiranë, as në Shqipëri. Projekti i Astirit është pjesë e Unazës së Madhe i cili nuk mund të presë pafundësisht derisa ata të rikthehen në pushtet.

Mund të mos rikthehen kurrë, por kjo nuk do të thotë që puna dhe jeta nuk duhet të vazhdojë. Në kohën e tyre, në Kopshtin Zoologjik luani e tigri jo vetëm që s’ekzistonin, por edhe ato që kishin mbetur, na u desh t’i çonim në qendra rehabilitimi jashtë. Kurse sot diskutojnë sa dhëmbë ka tigri gjysh dhe tigri nip. Kjo do të thotë se Tirana i ka punët relativisht mire, kur dështakët monumentalë të këtij qytetit janë duke u marrë me qimet dhe dhëmbët e tigrit. Por, le të bëhemi seriozë dhe kjo kulturë duhet të mbarojë.

Këta njerëz duhet të kuptojnë se në ato rrugë të Unazës së Madhe ecin si të majtë, edhe të djathtë; te “Sami Frashëri” do shkojnë edhe adoleshentët e familjeve të majta, edhe të atyre të djathta; te “5 Maji”, kur të mbarojë lagjja, do strehohen edhe të majtët, edhe të djathtët. Bllokimi non stop është një traditë shumë e shëmtuar, që ne kemi prej viteve 90 dhe një pjesë e politikës e zbaton ende. Vitin tjetër janë zgjedhjet locale, nëse kanë një alternativë më të mire, ata që nuk ndërtuan një shkollë, krahasuar me ne që kemi bërë 40 shkolla në Tiranë, do të duhet të vijnë të na thonë si bëhen, por jo duke bllokuar punën e tjetrit, ajo nuk është alternativë”, tha Veliaj.

SHKARKO APP