Veliaj për opozitën: Politizimi i punëve publike duhet të mbarojë. E latë Tiranën me 6 orë ujë në ditë

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj thotë se opozita duhet të ketë parasysh në ç’gjendje e la kryeqytetin kur bën akuza për ujin e pijshëm apo fondet e rindërtimit. Ai tha se i ka fituar të gjitha gjyqet për shpifje me deputetët e opozitës, si shpifja për shkollën “Sami Frashëri”, për të cilën thanë se do ndërtohej në Paskuqan.

“Opozita e çon në Gjykatë Bashkinë e Tiranës për çdo punë publike, për këndin e lodrave, për kopshtin, për çerdhen, për mbjelljen e pemëve, për Kalanë, për Pazarin, për Sheshin, për urën, për “5 Majin”, për Kombinatin, për gjimnazin “Sami Frashëri”, për shkollën “Kosova” dhe për sa kohë Gjykata jep një vendim se këto janë shpifje, atëherë duhet të respektosh gjykatën. Unë jam përballur me të gjitha këto akuza dhe deri më sot nuk kam humbur asnjë gjyq”.

Ai komentoi edhe akuzat e nënkyetares dhe deputetes së PD-së, Jorida Tabaku, lidhur me cilësinë e ujit në Tiranë.

“Këta që flasin për ujin sot, kur e kishin Bashkinë e Tiranës qyteti kishte vetëm 7 orë ujë në ditë, kurse në zyrën e kryetarit të Bashkisë, në tualet ndodhej një fuçi me sapllake. Pra të vjen princi i Monakos per vizite, apo kryeministri i një vendi tjeter, dhe ajo që i ofron është një sapllake. Kur vetë e ke lënë mizerje Tiranën dhe sot thua e kam 22 orë, pse s’e kam 24. Po punojmë për 24/24. Por, po vijmë nga 7 orë ujë në ditë dhe po vijmë nga sapllakja tek zyra e kryetarit të Bashkisë”,-tha për ”Report Tv”.

SHKARKO APP