Veliaj për “Sarajet”: Pronarët do të dëmshpërblehen, kurse ndërtesa do të kthehet në Shtëpi Muze dhe do ruhet si Monument Kulture

Gjatë inspektimit të godinave të reja në Qytetin Studenti, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj foli për ngjarjen e ndodhur mesnatën e mbrëmshme në ndërtesën “Sarajet e Toptanit” në kryeqytet. Veliaj tha se kjo ndërtesë, në dallim nga Teatri Kombëtar, është Monument Kulture dhe do të ruhet si e tillë.

“Dua t’u them qytetarëve se ka muaj që pronarët kërkojnë me çfarëdo lloj mënyre të shmangin shpronësimin e asaj ndërtese. Ajo ndërtesë është Monument Kulture, në dallim nga Teatri prej tallashi apo këndi i lodrave, që nuk kanë qenë Monumente Kulture. Kush ka sy, kush ka veshë mund të dëshmojë që ata njerëz, ata politikanë që ulërinin për Teatrin prej tallashi, që s’ishte Monument Kulture apo këndin e lodrave që s’ishte Monument Kulture, sot heshtin. Ndoshta, prej faktit që janë edhe bashkëpronarë, edhe të interesuar në atë pronë. Por ajo që do të ndodhë është kjo: Qeveria do bëjë një shpronësim total të asaj ndërtese. Të gjithë pronarët do marrin paratë e tyre, ndërtesa do i kalojë Bashkisë së Tiranës dhe do kthehet në një shtëpi muze, ashtu siç ka plot shtëpi muze në Korçë e Gjirokastër, ashtu siç kemi bërë muze shtëpinë e Ismail Kadaresë apo shtëpinë e Dritëro Agollit”, sqaroi Veliaj.

Po ashtu kryebashkiaku u bëri thirrje Presidentit Ilir Meta apo ish-Presidentit Bujar Nishani, që t’i bashkohen Bashkisë së Tiranës, e cila jo vetëm identifikon keqbërësit, por kërkon shpronësim për ta rikonstruktuar këtë ndërtesë e për ta kthyer në një Muze Etnografik të qytetit dhe në një Muze të Marrëdhënieve Shqipëri-Amerikë, duke qenë se ndërtesa është dy-katëshe dhe ka hapësirë.

”Siç është ruajtur Kalaja e Tiranës, siç është ruajtur Pazari, do të ruhet po ashtu edhe ndërtesa e Sarajeve dhe ndërtesa e Libohovitëve. Kushdo që ka ndërmend që t’i vërë zjarrin qytetit është i dështuar dhe do të ndiqet nga ana e drejtësisë, do të përfundojë në burg, si ata që e vënë zjarrin, ashtu edhe ata që e porosisin zjarrin”.

SHKARKO APP