Veliaj për transportin falas: Ka aventurierë që flasin për avionë e trena falas. Tirana nuk i voton personat non-grata
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj thotë se transporti falas është një ide e parealizueshme. Për të nuk mund të premtosh njëkohësisht edhe të ulësh taksat, por edhe të rrisësh shpenzimet. Më tej, Veliaj sqaroi në një intervistë për ”News 24”, se nuk është momenti për aventura, por për vijimin e projekteve që mund të realizohen në vend.
“Qytetet që e kanë bërë transportin falas, janë qytete që tashmë e kanë pasur të subvencionuar këtë shërbim në mbi 90% të tij, siç ka qenë rasti i Luksembugurt. Qytetet e tjera, si Talini që e kanë bërë këtë eksperiment, kanë dështuar me sukses. Nuk mund të thuash se nuk do paguajmë pastrimin e qytetit, por do bëjmë transportin falas. Në Talin, kryetari i Bashkisë jo vetëm që humbi zgjedhjet, por dështoi dhe e falimentoi qytetin me aventura të tilla.
Aventura të tilla Tirana i provoi njëherë në 2011-ën, ishte aventura e tramit imagjinar. Për çdo aventurier tjetër që thotë se do i bëjmë edhe avionët falas, edhe trenat falas, na kujton tramin. E kuptoj se kur gënjehemi një herë është faji i atij që na gënjeu i Partisë Demokratike dhe delfinit të Saliut, i cili në atë kohë ishte Lulzim Basha, por nëse vjen një delfin tjetër i Saliut me një gënjeshtër të radhës për të harruar se është person non-grata dhe që Tirana kurrë nuk mund të qeveriset nga një forcë që është shpallur non-grata nga SHBA dhe Britania e Madhe, atëherë është faji ynë nëse gënjehemi nga ata që e dinë që nuk do i fitojnë zgjedhjet, por janë që të kapin çfarë të kapin dhe thonë një gënjeshtër të radhës.
Unë nuk e bëj dot këtë dhe jam përgatitur që të hënën e datës 15 Maj të zgjohem dhe të qeveris Tiranën. Kjo do të thotë se nuk ia lejoj dot vetes që, për tre ose katër vota, të them marrëzi të tilla, që nuk ndodhin dhe nuk kanë logjikë ekonomike, por nuk do të votohen as nga qytetarët, sidomos pasi kanë provuar shijen e tramit, që nuk u materializua askund. Ndaj, dua të vazhdojmë me projekte që mund të realizohen”, sqaroi Veliaj.