Veliaj prezanton listën e këshilltarëve në Kamëz: Opozita përfaqësohet nga një ”non-grata” që nuk kalon dot Rinasin
Kryetari i Partisë Socialiste të Tiranës, njëherësh drejtues politik i PS për Qarkun, Erion Veliaj, ka prezantuar sot kandidatët për anëtarë të Këshillit Bashkiak të Kamzës.
Së bashku, me deputeten dhe kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla, dhe kryetarin e Bashkisë së Kamzës, Rakip Suli, Veliaj u bëri thirrje qytetarëve të votojnë listën e propozuar nga PS. Veliaj tha se në këtë fushatë Partia Socialiste vjen me kokën lart për gjithë punët e mira që ka bërë.
Ai gjithashtu kujtoi se ata që vijnë sot për të kërkuar votën e demokratëve, 4 vite më parë i lanë pa përfaqësim, ndërsa PS nuk e braktis kurrë detyrën.
“Kjo është një nga fushatat më të lehta, jo se nuk kemi kundërshtar, jo se e kemi fitoren në xhep, jo se e kemi varur xhaketën, përkundrazi unë besoj se duhet të luftojmë për çdo votë, por fushata bëhet pak më e lehtë kur e ke kokën lart, kur nuk ke komplekse. Kush e ka fushatën më të lehtë, ata që të thonë përfaqësoj Partinë Socialiste dhe Edi Ramën, apo ata që thonë përfaqësoj një ‘non grata’, që nuk e kalon dot Rinasin?
Kush e ka fushatën pak më të lehtë dhe punën pak më të kollajtë, ai që e mban kokën lart dhe që thotë ne përfaqësojmë një forcë politike që ka bërë kaq shkolla, që ka bërë kaq çerdhe, ka bërë kaq kopshte, ka mbjellë kaq pemë, ka bërë kaq parqe apo ata që ikën nga detyra për 4 vjet? Ne nuk jemi këtu për të bërë premtime, jemi këtu për të treguar se premtimet që bëmë, i mbajtëm”, u shpreh Veliaj.