Veliaj prezanton programin me 7 pika për ndotjen

 

Kandidati i koalicionit të majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, prezantoi sot kontratën e tij me 7 pika për 871 rrugë të amortizuara, 327 trotuare të dëmtuara, 113 hapësira të cilat nuk pastrohen nga mbeturinat dhe 66 tregje jashtë standardeve higjieno-sanitare. Në takimin e zhvilluar në Parkun Rinia për programin e tij për reduktimin e ndotjes në Kryeqytet, Veliaj ngriti shqetësimin mbi situatën e krijuar si pasojë e keqqeverisjes nga kryetari aktual i bashkisë, Lulzim Basha.

 

“Niveli i ndotjes në Tiranë është 63 mikron, pra pluhuri që futet në mushkëri është 50 për qind mbi normën maksimale të lejueshme në BE. Është momenti për t’u shqetësuar, sidomos në disa zona”, shprehu shqetësimin e tij Veliaj. Ai tha se në 4 vjet nuk është parë asnjë makinë që të lajë rrugët e Tiranës, ndërsa shtoi se një tjetër problem i jashtëzakonshëm është edhe menaxhimi i mbetjeve në komuna. “Në shumë komuna, i vetmi vend për derdhjen dhe grumbullimin e plehrave është lumi që kalon në atë zonë. Angazhimi ynë është që të pastrojmë lumenjtë, një proces që ka vite që nuk ndodh. Për herë të parë, komunat që do jenë lagje të Tiranës do kenë të njëjtin sistem modern pastrimi, si në zonën e ish Bllokut, ashtu edhe në periferi, në çdo lagje dhe çdo fshat, pasi ne nuk e kemi luksin që të helmojmë lumenjtë tanë”, deklaroi Veliaj.

 

Përballë gjendjes së krijuar në landfillin e Sharrës, kandidati i majtë propozoi ngritjen e një landfilli të ri që plotëson nevojat për vitet e ardhshme. “Po mendojmë për një zgjidhje afatgjatë, ku të fusim konceptet moderne të riciklimit. Të mos kemi 2-3 kosha ku bëhet ndarja, por e gjithë Tirana të ketë një ndarje për të ricikluar plastikën, qelqin, letrën dhe mbeturinat ushqimore”, theksoi Veliaj. Ai tha se bashkë me ekipin e tij të ekspertëve kanë identifikuar dhe vendosur në një hartë dixhitale të kryeqytetit 871 rrugë të amortizuara dhe 327 trotuare të dëmtuara, të cilat janë prodhuesit kryesor të pluhurit që është i dëmshëm për organizmin e njeriut.

 

Pas panoramës së plotë për problemet e ndotjes, Veliaj prezantoi disa premtime që, siç i vlerësoi ai, janë kontrata e tij me qytetarët. Fillimisht, ai propozoi reduktimin e trafikut dhe promovimin e përdorimit të mjeteve alternative të transportit dhe shtimin e sipërfaqeve të gjelbra. “Ne do të fillojmë kufizimin e trafikut me orar në disa pika nevralgjike. Do të kemi kufizim të orarit për përdorimin e makinave në disa rrugë. Për pak njerëz që kanë makina do të shkaktojë irritim, por shumë të tjerëve do t’u kthehen hapësirat”, sqaroi Veliaj. Ai premtoi garantimin e pastërtisë së rrugëve dhe hapësirave publike përmes investimit në mjete dhe pajisje të standardeve më të larta teknike.

 

Sipas tij, pas katër vitesh, në Tiranë do të nisë larja e rrugëve me ujë për të pastruar të gjithë pluhurin që është mbledhur gjatë mandatit të Lulzim Bashës në krye të bashkisë. “Do të vendosim mbledhjen dhe grumbullimin e mbeturinave në orare me më pak lëvizje. Vetëm pas mesnate, kur qyteti të jetë në gjumë, do të fillohet puna për pastrimin”, theksoi Veliaj. Kandidati i majtë për Bashkinë e Tiranës premtoi gjithashtu, vendosjen e detyrueshme të sistemeve të filtrimit për bizneset që krijojnë ndotje, ndërtimin e një impianti për përpunimin dhe riciklimin e mbetjeve, duke ndaluar rreptësisht djegien e tyre, pastrimin nga mbetjet të lumenjve përgjatë rrjedhës së tyre dhe ndërtimin e një impianti modern për përpunimin e ujërave të zeza, në mënyrë që ato të mos derdhen më në Lumin e Lanës apo Lumin e Tiranës.

 

Për të gjithë situatën e krijuar në kryeqytet, Veliaj tha se është habi pse qyteti është kaq i ndotur. “ Në 1 qytet ku e vetmja punë që kryetari i Bashkisë ka bërë në 4 vjet, është dhënia e lejes vetes së tij për të ndërtuar një kat mbi shtëpinë ku banon. Një kryetar bashkie që jeton tërë kohën në Hollandë, në Shqipëri vjen si turist për dy arsye: ose t’i japë një leje ndërtimi vetes dhe të shtojë ndotjen ose të thërrasë ‘te sheshi te sheshi’”, deklaroi Veliaj. Sipas tij, banorëve nuk u duhet një kryetar bashkie apo një kandidat që punon vetëm për veten.

 

“Qyteti që kemi sot është dëshmi e kësaj katastrofe, është dëshmi e faktit që zgjedhjet u vodhën duke thënë se qytetarët janë të parët, ndërkohë që ja ku jemi sot pas 4 vitesh, të vetmit që ishin të parët ishte kryetari i bashkisë, Shkëlzeni me kalë, ndërtimet te diga e liqenit dhe të gjithë doktorët që ndërtuan klinika ku s’kalon dot asnjë ambulancë dhe asnjë zjarrëfikse. Ky është realiteti i qytetit që kemi trashëguar sot”, deklaroi Veliaj.

 

Në këtë takim ishte i pranishëm edhe Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i cili tha se Bashkia e Tiranës gjendet sot në një situatë alarmante dhe se kjo kërkon një përkushtim nga ana e kandidatit Veliaj.

 

 

Pikat e programit për reduktimin e ndotjes

 

1).Reduktojmë trafikun, promovojmë përdorimin e mjeteve alternative të transportit dhe shtojmë sipërfaqet e gjelbra;

2).Garantim i pastërtisë së rrugëve dhe hapësirave publike përmes investimit në mjete dhe pajisje të standardeve më të larta teknike;

3).Mbledhje e mbeturinave në oraret me më pak lëvizje;

4).Vendosja e detyrueshme e sistemeve të filtrimit për bizneset që krijojnë ndotje;

5).Ndërtim i një impianti për përpunimin dhe riciklimin e mbetjeve duke ndaluar rreptësisht djegien e tyre;

6).Pastrim nga mbetjet i lumenjve në territorin e Bashkisë së Tiranës përgjatë gjithë rrjedhës së tyre;

7).Ndërtim i një impianti modern për përpunimin e ujërave të zeza në mënyrë që ato të mos derdhen më në Lumin e Lanës apo Lumin e Tiranës;

SHKARKO APP