Veliaj shpërndan leje legalizimi në Laprakë

 

andidati i koalicionit të majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, ishte pasditen e sotme i pranishëm në aktivitetin e zhvilluar nga ALUIZNI për shpërndarjen e legalizimeve në Laprakë, nga ku njoftoi se ky proces për këtë zonë është në drejtimin e duhur për 10 mijë familje. I shoqëruar nga drejtori i ALUIZNI-t, Artan Lame dhe deputeti socialist i zonës, Rakip Suli, kandidati Veliaj, në fjalën e mbajtur gjatë takimit, vuri theksin në punën e bërë nga qeveria aktuale e cila ka mundësuar dhënien e 32 mijë lejeve të legalizimit.

“Në Laprakë ishin 8 mijë aplikime për leje legalizimi, të cilat nuk ishin prekur. Për 2 mijë të tjera, të cilat ligji i ri do i fusë në procesin e legalizimit, kemi sot 2 mijë lajme të mira. Në total, janë 10 mijë legalizime, pra 10 mijë mundësi në këtë zonë”, deklaroi Veliaj. Për kandidatin e majtë, legalizimet që jepen sot dhe që janë dhënë këto kohë janë mënyra e duhur për të thënë se ky proces është tashmë, vetëm çështje kohe. “Kur ti shikon alternativat, thua se ky ekip ma mbush mendjen, se ecën më shpejt duke i ndenjur punës te koka, se e mban fjalën. E gjitha kjo përkthehet në punë të mbaruar”, theksoi Veliaj.

Kandidati i koalicionit të majtë nënvizoi se ka një program të qepur sipas masës së çdo njësie të Tiranës. “Herën tjetër do të vijmë këtu me një program serioz, ku të gjitha shqetësimet që kemi marrë nga komuniteti, për çdo rrugë, për çdo kopsht, për çdo shkolë, për çdo pusetë të hapur, për çdo vend ku nuk mblidhen plehrat, për çdo rrugë pa drita, do t’i kemi në planin tonë”, sqaroi Veliaj.

Ai kritikoi mënyrën e qeverisjes së Bashkisë së Tiranës këto katër vitet e fundit, ku sipas tij, kryetari dhe nënkryetari ikin nga vendi i punës dhe janë kthyer në turistë për kryeqytetin. “Kur kryetari është në Hollandë apo duke vizituar Shqipërinë, ti mendon se të paktën nënkryetari do rrijë në punë. Por, ndërkohë nënkryetari ka një muaj që rri në Korçë dhe përgatiste mitingjet atje”, tha Veliaj.

Veliaj në Njësinë nr. 2, prezanton programin e detajuar për çdo lagje: “Kontrata jonë do e çojë Tiranën në drejtimin e duhur”

Rehabilitim dhe instalim të sistemit të ngrohjes në 6 shkolla e 3 kopshte, si dhe ndërtimin e një kopshti të ri në zonën e Depos së Ujit, ishin zotimet që kandidati i koalicionit të majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, mori sot përsipër në njësinë nr.2 në Tiranë, gjatë prezantimit të programit të tij të detajuar për çdo lagje të kryeqytetit. Veliaj premtoi rehabilitimin e shkollave “Mihal Grameno”, “Jordan Misja”, “Hasan Tahsin”, “Qemal Ataturk”, “Mustafa Gërbëlleshi” dhe “Sandër Prosi”, si dhe Kopshtin nr. 18, Kopshtin në Sauk i Ri dhe Kopshtin në Sauk i Vjetër, duke nënvizuar se këto janë problemet konkrete që shqetësojnë sot çdo familje të kësaj zone.

Ai tha se njësia nr.2 në Tiranë ka probleme me legalizimet, rrugët e degraduara dhe shkollat e kopshtet që janë në gjendje të mjeruar. “Shtresa e parë e problemeve janë ato për infrastrukturën, ku përfshihen problemet me parkimin, me transportin publik me hapësirat e zëna në mënyrë të paligjshme, me ujësjellës – kanalizimet apo me shërbimet publike. Në gjithë Njësinë 2 janë identifikuar 357 probleme individuale”, sqaroi Veliaj. Gjithashtu, kandidati i majtë bëri të ditur se janë identifikuar 27 vende parkimi abuzive, të cilat ndodhen në rrugën “Budi”, te sheshi Avni Rustemi dhe te rruga Gramoz Pashko. Sipas tij, janë në total 27 hapësira të zëna për parkim në mënyrë të paligjshme, të privatizuara që do kthehen Njësisë numër 2 në datë 21 qershor.

Duke sqaruar programin e tij për Njësinë 2, Veliaj deklaroi se janë hedhur në hartë 17 hapësira publike të uzurpuara. “Janë 17 hapësira që kanë gjithë potencialin që të kthehen në lulishte. Kryesisht ndodhen përgjatë rrugës së markatës, rruga ‘Petro Nini Luarasi’, rruga ‘Shyqyri Ishmi’ dhe te rruga ‘Budi’. Këto do jenë dhe tre rrugët e para ku do insistojmë me çlirimin e 17 hapësirave publike që do t’i rikthehen publikut”, shpjegoi ai.

Veliaj tha se në total janë identifikuar 357 probleme, nga të cilat janë 27 hapësira parkimi abuzive, 17 hapësira publike të uzurpuara, 15 hapësira me mungesë gjelbërimi, 102 rrugë të amortizuara, 39 trotuare të dëmtuara, 33 puseta që mungojnë, 23 rrugë ku mungon tërësisht ndriçimi, 4 tregje jashtë standardeve etj. “Kemi vënë re nevojën për një shkollë të re të mesme në Sauk dhe një nga 10 shkollat e reja që do ndërtojmë në Tiranë do të jetë në këtë zonë. Do të rehabilitojmë dhe instalojmë sistemet e ngrohjes në shkollën ‘Mihal Grameno’, në shkollën ‘Jordan Misja’”, theksoi Veliaj. Ai shtoi se përveç këtyre edhe në shkollat ‘Hasan Tahsin’, ‘Qemal Ataturk’, ‘Mustafa Gërblleshi’, ‘Sandër Prosi’, nga ky vit do kenë dimrin e parë me sistem ngrohje. Sipas tij, në programin për Tiranën do ketë 8 kopshte të reja dhe një prej tyre do jetë në zonën e Depos së Ujit.

Veliaj shpjegoi se janë identifikuar 20 hapësira totalisht të pashfrytëzuara dhe që kanë potencial të kthehen në hapësira rekreative. “Kemi identifikuar 15 hapësira që kanë një mungesë gjelbërimi dhe ku mund të investohet në gjelbërim. Të rruga ‘Petro Nini Luarasi’, ‘Drago Siliqi’ dhe rruga ‘Xhavit Demneri’. Ka 50 probleme potenciale për hapësira argëtuese për të nisur një proces rehabilitimi, gjelbërimi dhe krijimi të zonave rekreative shlodhëse për lagjen”, sqaroi Veliaj. Më tej ai tha se do të rehabilitohen 102 problemet në rrugët e amortizuara, 39 trotuaret e dëmtuara dhe vendosjen e 33 pusetave që mundojnë.

“Ne kemi një kontratë konkrete, cila është oferta e tyre? Oferta e tyre është: Ishim më mirë kur ishim më keq. Pyetja është shumë e thjeshtë: na tregoni cila është oferta juaj? Kjo është kontrata jonë dhe mbi këtë kontratë do të votohemi, me këtë kontratë do të punojmë dhe me këtë kontratë do të vlerësohemi. Me këtë kontratë do e nxjerrim Tiranën nga përrallat me mbret e me tramvaj, për ta çuar më në fund në drejtimin e duhur duke e kthyer bashkinë në krye të detyrës”, deklaroi Veliaj. 

SHKARKO APP