Veliaj: Shtëpitë e pabanueshme do të rindërtohen, dëmshpërblime për ata që kanë dëmtime të pjesshme

Nga magazinat qendrore në Farkë, ku janë grumbulluar ndihmat e dhuruara nga qytetarët këto ditë, shpërndarja e tyre vijon në të gjitha zonat e prekura nga tërmeti, përmes njësive administrative. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj iu bashkua vullnetarëve dhe shpërndau ndihma në njësinë administrative Zall-Herr, në bazë të listës së nevojave për çdo familje. “Vërtet ra tërmet, por as nuk na kapi paniku, as nuk e humbëm rrugën për të ndihmuar njëri-tjetrin. Fakti që kemi ardhur me ndihma edhe njësinë më të largët të Tiranës, do të thotë që e kemi me shumë merak, që të gjithë të ndihmohen. Dua që gjithë ky proces të shkojë i rregullt. Do të thotë, listat që ka njësia administrative, secili firmos te lista e vet që të jemi transparent me gjithë ata njerëz që kanë dhënë kontribute, që kanë dhuruar rroga, çadra, ushqime”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë nënvizoi se shpërndarja e ushqimeve do të bëhet sipas prioritetit që ka çdo familje. Ai garantoi se falë menaxhimit të situatës që në orët e para, ndihmat do të shpërndahen për të gjitha familjet e prekura. “Një që nuk ka nevojë, që nuk i është prishur shtëpia, që thotë meqë u hap thesi po përfitoj, praktikisht po ia heq një njeriu që realisht ka nevojë. Kështu që, do të doja që këtë kod ta respektojmë. Në momentin që shkon realisht nga sheshi “Skënderbej” te magazina qendrore, tek secila prej 27 njësive, dhe pastaj secila pako te familja që ka nevojë, dhe që firmos që e ka marrë, atëherë e kemi përballuar me dinjitet dhe pa rrëmujë këtë situatë. Kemi ndihma për të gjithë, as ka nevojë për t’u shtyrë, as për t’u nxituar, as me ia heq tjetrit prej dore”, u shpreh ai.

Ndërkohë, për të gjitha familjet të cilat kanë banesa të dëmtuara, Bashkia e Tiranës po ngre çadra dhe ka nisur nga puna për rindërtimin e tyre. Kreu i Bashkisë kërkoi prej të gjithë qytetarëve që të zbatojnë urdhrat e autoriteteve dhe nëse shtëpia është klasifikuar si e pabanueshme, të largohen në qendrat sociale. “Me u fut vetë në një shtëpi që është gjysmë e rënë, është risk që ia bëjmë vetes. Për të gjitha këto arsye, do të dua një listë nga njësia administrative dhe të sigurohemi që ata që realisht e kanë të rrezikuar shtëpinë, të mos marrin këtë risk përsipër. Vëmë një çadër, ajo ka hapësirë pastaj për krevat, shtrojë, janë të bollshme. Sigurisht, e vëmë tek bahçja, pra kush ka bagëti, s’ka nevojë të largohet nga bagëtia; kush ka tokën, s’ka nevojë të largohet, kush ka orendi, nuk ka nevojë t’i braktisë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku siguroi se të gjitha banesat e klasifikuara si të pabanueshme do të rindërtohen nga e para, ndërsa ato që kanë dëmtime të pjesshme do të marrin dëmshpërblime. “Do nisim procesin e rindërtimit, një nga një do kapim secilën nga shtëpitë. Çfarë janë meremetime do i bëjmë me pagesë, çfarë janë për t’u bërë nga e para do i bëjmë nga e para. Mund të ketë raste që themi: Nëse kjo tokë nuk mban më se mund të ketë rrëshqitur e gjitha dhe mund të marrim apartament në një vend tjetër, mund të marrim në Kamëz, në Tiranë, pra do i shohim rast pas rasti, por tani të kalojmë me dinjitet këtë pjesën e parë. Nëse është dikush që akoma nuk e ka vënë emrin në listë, ju lutem njoftojeni se mund të jetë në një fshat akoma më të largët”, theksoi Veliaj.

SHKARKO APP