Veliaj: Shumica e lejeve në Tiranë për riparime dhe punë publike. Më parë ndërtonin vetëm 3-4 vetë

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj deklaroi se në tetë vite në Tiranë janë dhënë vetëm 1028 leje ndërtimi, ku vetëm 30 për qind janë godina 4-12 kate dhe pjesa tjetër janë riparime ose punë publike. Po ashtu Veliaj tha se ndryshe nga administrata e kaluar, që ia jepte lejet e ndërtimit vetëm 3-4 vetave, tani ka një diversitet subjektesh.

“Janë 1028 leje, nga të cilat vetëm 30% janë ndërtesa. 4 deri në 12-kate. Pra në gjithë këto vite, vetëm 30% janë të tilla. Për të rregulluar çatinë dikush do leje, për të bërë një pergolat do leje, për të bërë një mur rrethues do leje. Pra këtu futen të gjitha lejet. 1028 leje, janë marrë nga 991 subjekte. Pra në dallim nga administrata që gjetëm, ku vetëm 3-4 veta ndërtonin, ne së pari kemi një diversitet subjektesh, pra 1000 e ca leje për 991 subjekte. Vetëm 1/3 janë ndërtime të reja, të tjerat janë riparime, sistemime, çati, nga këto të tërmetit, një pjesë e madhe janë punë publike”, tha Veliaj në ”Report Tv”.

Po ashtu kreu i Bashkisë sqaroi edhe se në Tiranë janë vetëm 20 godina të larta. Veliaj nënvizoi se gjithnjë e më shumë qytetet po ndërtohen si zona policentrike. “Kur thonë ata “na mbytën kullat”, bëhet fjalë për vetëm 12. Janë vetëm 12 ndërtesa, ose në total, përfshi edhe ato që ishin ndërtuar më përpara se unë të vija në Bashkinë e Tiranës, në total janë 20. Qytetet gjithmonë e më shumë po ndërtohen rreth lagjeve, në zona policentrike. Pra, zona e “5 majit” është konceptuar me këtë ide, të nje qyteti 15-minutësh. Pra, brenda një lagjeje ke edhe shkollën “Ardian Klosi”, do kesh edhe kishën, edhe xhaminë, do kesh edhe bankat, do kesh edhe shopping-un etj”, u shpreh Veliaj.

SHKARKO APP