Veliaj: Situata në Bovillë është normalizuar që dje, morëm vendime të përgjegjshme

 

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka bërë të ditur sot se prej mbrëmjes së djeshme ujësjellësi i Bovillës është në aktivitet të plotë. Në një reagim për mediat ai ka sqaruar se vonesa në vënien në punë të këtij ujësjellësi ishte e detyrueshme për shkak të ujit të turbullt dhe të pakonsumueshëm.

"Ne kemi rikuperuar mbrëmë në orën 22.00 funksionimin e plotë të Bovillës. Unë e kuptoj që ka një shqetësim, megjithatë më është dashur të marr vendime të përgjegjshme. Mund ta kishim çliruar ujin më shpejt, por ishte totalisht i ndotur, jashtë standardeve dhe midis dy vendimeve për të liruar më shpejt Bovillën me ujë të ndotur, preferuam që të pastrohej totalisht filtri dhe vetëm kur uji të ishte i sigurt të futej në rrjet”, – tha Veliaj.

Ai ka sqaruar gjithashtu se Bashkia ka ndjekur nga afër situatën edhe në spitale, duke i furnizuar ato me ujin nëpërmjet autocisternave. “Gjatë gjithë ditës së djeshme, ne kemi pasur vetëm në QSUT 21 bote që kanë furnizuar, çdo orë ka pasur një furnizim me 10 mijë litra ujë, ndaj në asnjë moment nuk është ndërprerë furnizimi në situatat jetike”, – shtoi Veliaj. Duke ju referuar pikërisht situatës që shkaktuan shirat e së dielës në zona të ndryshme të bashkisë, Veliaj u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të jenë të kujdesshëm me ambientin për të mos u bërë shkak për bllokimin e kanaleve dhe pusetave. “U bëj thirrje qytetarëve që të na ndihmojnë, ndihma më e madhe që mund të japin është të mos hedhin qese dhe shishe plastike nëpër kanalizime. Vetëm dje kemi hequr sërish 50 tonë qese nga kanalizimet e Tiranës. Unë e kuptoj, disa probleme na vijnë nga të tjerët, por nuk na i hedh hasmi qeset dhe shishet e plastikës. Secili duhet të bëjë detyrën e vet, Bashkia duhet të bëjë të vetën, u kërkojmë gjithë qytetarëve që të na ndihmojnë. Bllokimet, siç i bllokohet çdo familje lavamani po të hedhë një qese, ashtu na bllokohen gjithë kanalizimet e Tiranës, ndaj u kërkoj qytetarëve që të kemi edhe pak përgjegjshmëri”, – shtoi Veliaj.

Ai gjithashtu theksoi se në Bashkia do të vijojë të çlirojë të gji9tha kolektorët dhe kanalet e zëna nga ndërtime të ndryshme, pavarësisht nëse ato janë legalizuar ose jo. “Sot po vijojmë me aksionin, disa prishje të tjera, edhe në zonën e Selitës, Laprakës, Don Bosko, njësia 4, te Bregu i Lumit. Ne jemi duke menaxhuar, e në fakt, kemi evakuuar edhe 63 persona në një zonë të Bashkisë Kamëz. Unë e kuptoj se këtu politizohet gjithçka, por ata që e politizojnë t’i dalin njëherë për zot bashkive të tyre e më pas të na kërkojnë llogari si ne menaxhojmë qytetarët e bashkive të tyre në Tiranë. Thirrja për gjithë qytetarët është mos ndërtoni në Breg të Lumit, nuk është një vend i aprovuar për ndërtime, mos ndërtoni mbi kolektorë se ato shtëpi do të prishen, mos ndërtoni mbi kanalizime, se ato bllokime marrin në qafë jetë njerëzish”, – shtoi Veliaj.

SHKARKO APP