Veliaj thirrje bizneseve: Adoptoni një konvikt
Në Qytet Studenti puna për rikonstruksionin e konvikteve tashmë ka nisur edhe në godinat ku jetojnë djemtë. Kryetari Veliaj tha se Bashkia është angazhuar në përmirësimin e kushteve, ndërsa studentëve iu bëri thirrje që të rinisin mësimin.
Studentët që do të zgjedhin të akomodohen në konviktet e Qytetit Studentit tashmë do të kenë kushte më të mira. Bashkia Tiranë ka nisur punën për rikonstruksionin e konvikteve ku jetojnë djemtë. Kryetari, Erion Veliaj, tha se ndërhyrja po bëhet në mjediset e përbashkëta dhe puna nëpër dhoma do të nisë gjatë verës, kohë në të cilën studentët rikthen në shtëpitë e tyre.
”Jam shumë i lumtur që po shkohet përtej rregullimeve bazë, veshjes me kapotë, që do ulë shpenzimet energjetike, do shtojë kursimet, do mbajë ambientet më të ngrohta dhe më të ventiluara dhe më vjen mirë që kemi arritur në raportin 8 dushe për 30 studentë; pra më pak se 1 për 4, që në fakt është norma e çdo familjeje. Unë besoj se për sa kohë që po ofrohet komoditeti bazë, si në çdo familje modeste shqiptare, them që jemi në përmbushje të këtij misioni. Konviktet i kanë kaluar Bashkisë së Tiranës dhe ne po punojmë me donatorë të huaj, si KFË apo TIKA, por edhe me donatorë shqiptarë, që mund të jenë banka, kompani celulare, siç u bë me çerdhet e kopshtet”.
Veliaj u bëri thirrje studentëve që t’i kthehen mësimit për t’i hapur rrugë gjatë verës, vijimit të punës me kapacitet të plotë, në mënyrë që viti i ri akademik t’i gjejë me mjedise të denja për ta. ”Na duhet bashkëpunim, bashkëpunim, bashkëpunim! Shpresoj shumë që studentët të reflektojnë në ato pak fakultete që nuk po zhvillohet mësim, për të vetmen arsye se na lipset që shkolla të mbarojë në korrik. Nëse mbaron shkolla në korrik, punojmë në gusht, shtator edhe nëpër dhoma. Në të kundërt, të vetmit që humbasin nga vonesa dhe shtyrja e mësimit nuk janë partitë politike, që duan t’i përdorin, por vetëm studentët që do rikthehen në të njëjtat dhoma, siç i lanë”.
KOHA JONË SONDAZH

