Veliaj thirrje qytetarëve: Në 4 shtator, bashkë për të pastruar Tiranën

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i ka bërë apel të gjithë qytetarëve të Tiranës, shoqërisë civile, shoqatave ambientaliste si dhe kompanive të pastrimit që të bëhen pjesë e aksionit të madh të pastrimit që do të zhvillohet ditën e premte, në datën 4 shtator. Ai ka zhvilluar sot një takim me 24 administratorët e njësive administrative, ku veç të tjerave ka bërë të ditur se për të gjithë personat që trajtohen me ndihëm ekonomike nga Bashkia e Tiranës, pjesëmarrja në aksion do të jetë detyrim. “Të gjithë njerëzit që marrin ndihmë ekonomike dhe që nuk janë invalid, duhet të bëhen pjesë e aksionit për pastrimit”, tha Veliaj ndërsa u ka bërë thirrje administratorëve që atë ditë të marrin listprezencën e personave që përfitojnë ndihmë ekonomike.

Madje kryetari i Bashkisë ka bërë të ditur se shumë shpejt do ti propozojë Këshillit Bashkiak që ndihma ekonomike për personat që janë të mundur fizikisht të jepet duke marrë parasysh pjesëmarrjen e tyre në punët në komunitet. Gjatë fjalës së tij kryebashkiaku ka njoftuar se administratorët e njësive do të drejtojnë shtabet e pastrimit në zonat e tyre si dhe u ka kërkuar atyre që të angazhohen këto dy ditë për të organizuar çdo banorë që të marrë pjesë në këtë aksion pastrimi.  “24 organizatorët janë zyrtarisht drejtuesit e shtabeve të pastrimit ditën e premte. Do doja që këto dy ditë të ishit aktiv në çdo rrugë, në çdo lagje dhe në çdo pallat dhe të përcaktoni një përgjegjës për atë pallat apo atë lagje për të folur me njerëzit dhe për të caktuar aty një person përgjegjës për organizimin e aksionit në atë lagje”, – tha Veliaj.

Gjithashtu ai ka theksuar se vëmendja kryesore duhet të fokusohet tek ambientet dhe objektet publike, si shkolla, kopshtet, çerdhet apo edhe rrugët kryesore. Veliaj ka bërë të ditur gjithashtu se pjesë e aksionit të pastrimit do të jenë mjetet e ushtrisë të cilat do të angazhohen për të lëvizur mbetjet e inerte të rënda. Gjithashtu ai ka bërë të ditur se edhe i gjithë stafi dhe mjetet e bashkisë së Tiranës do të jenë 24 orë në dispozicion të aksionit. “Pas aksionit të pastrimi ne do të vazhdojmë ashtu siç e kemi paralajmëruar një sondazh për çdo kompani. Çdo kompani do të jetë në vlerësimin e qytetarit”, u shpreh Veliaj. Ndërkohë ai ka përsëritur edhe një herë se në mbledhjen e nesërme të Këshillit Bashkiak do propozojë katërfishimin e gjobave për ndotjen.

SHKARKO APP