Veliaj u shërben drekën grave dhe vajzave, punonjëse të Bashkisë së Tiranës: Mirënjohës për punën tuaj

Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, kryebashkiaku Erion Veliaj, së bashku me disa nga drejtuesit e këtij institucioni, u shërbyen drekën vajzave dhe grave punonjëse të Bashkisë së Tiranës, të cilat kujdesen për qytetin.

Veliaj shprehu mirënjohjen për punën e tyre të përditshme, që Tirana të jetë një nga qytetet më të pastra në rajon. “Zgjodha që këtë ditë ta kaloj me zonjat që mbajnë pastër qytetin tonë, institucionet tona, Bashkinë e Tiranës, sepse unë besoj se civilizimi nuk fillon nga ata që flasin në televizor dhe banaqet e ekraneve. Civilizimi fillon te pastërtia, me zonjat dhe zonjushat që bëjnë një punë jashtëzakonisht dinjitoze, jo vetëm për institucionin e bashkisë, por janë kartolina e parë e qytetit tonë, që konsiderohet sot një nga më të pastrit në gjithë rajonin tonë”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë nënvizoi se civilizimi i një shoqërie fillon nga mënyra se si sillemi e respektojmë hapësirën e punës dhe hapësirën e qytetit tonë. “Ju falënderoj me gjithë zemër për këtë dhe dua t’ju them se jo vetëm nuk është një punë për t’u përbuzur, është një nga punët për t’u respektuar më shumë. Besoj se aty fillon civilizimi, jo nga si krekosemi, jo nga si shahemi e përflasim njëri-tjetrin, por nga si sillemi e respektojmë hapësirën e punës dhe hapësirën e qytetit tonë”, tha ai.

Veliaj siguroi se edhe në këto ditë festash, ku konsumi rritet ndjeshëm, qyteti do ta përballojë me dinjitet. “Këto janë ditë me shumë konsum, pas 7-8 Marsit vjen Dita e Verës, pastaj muaji i Ramazanit. Qyteti ka shumë ngarkesë dhe ka shumë nevojë për pastrim, por unë besoj se ne e kemi përballuar me dinjitet dhe do të doja që sot ta kthejmë kokën tek ato kolege që bëjnë ndoshta një nga punët më të rëndësishme. Mezi pres që këtë traditë të mirë, ta kthejmë në një sjellje të përditshme. Jam shumë mirënjohës edhe ndaj disa kolegëve burra që erdhën këtu për të treguar që nuk është kurrë vonë për emancipim”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës. Me rastin e 8 Marsit, Bashkia e Tiranës ka organizuar një sërë aktivitetesh të ndryshme.

SHKARKO APP