Veliaj: Ulim taksat 30% për ish komunat, hiqet taksa e tabelës dhe biznesit të vogël

 

Në buxhetin e ri të Bashkisë së Tiranës është parashikuar ulja e taksës së pasurisë me 30% për 10 njësi administrative. Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, gjatë prezantimit të paketës fiskale për vitin 2016 bëri të ditur përpara Këshillit Ekonomik të Tiranës se ajo që propozohet është një ulje të disa taksave si ajo e pasurisë, e fjetjes apo e tabelës. “Për sa i përket shtëpive të banimit, kjo taksë e caktuar nga qeveria qendrore, i ndan ato në shtëpi të ndërtuara para vitit 1993 dhe pas këtij viti. Paketa fiskale që ne propozojmë është që kjo taksë ulet 30% për njësitë administrative  Bërzhitë, Baldushk, Vaqarr, Pezë, Petrelë, Krrabë, Ndroq Shëngjergj, Zallherr dhe Zallbastar. Dhe nuk ndryshon për njësitë e tjera të Tiranës. Kjo ulje është bërë pasi në këto zona vlera e pronës është dukshëm më e ulët se sa në Tiranë dhe të ardhurat e popullsisë janë gjithashtu më të ulta”, u shpreh Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se lajmi i mirë  është shfuqizimi i taksës  për biznesin e vogël. “Kjo taksë e cila për shumë vite me radhë ka qenë barra kryesore e biznesit të vogël, është shfuqizuar, dhe ky është me të vërtetë një lajm i shkëlqyer. Kështu, biznesi me qarkullim vjetor nga 0 deri në 5 milionë lekë do të paguajë zero taksa”, u shpreh Veliaj.

Një tjetër lajm i mirë për të gjitha bizneset e hoteleri – turizmit është ulja e taksës së fjetjes. Në Tiranë ka pasur një taksë që ishte 5% e çmimit të dhomës, në varësi të tarifës. “Kjo taksë rëndonte mbi ata që ishin të formalizuar dhe që prodhonin fatura të sakta. Kjo taksë është ulur për të gjitha hotelet. Për kategoritë e hoteleve nga 4 deri në 5 yje që mesatarisht paguanin deri në 10 euro për këtë taksë, kjo ka shkuar në 350 lekë, rreth 2.5 euro ndërsa për hotelet e tjera është reduktuar në vetëm 1 euro, kryesisht për t’i formalizuar dhe për t’i inkurajuar shërbimet e hoteli turizmit në qytetin e Tiranës”, tha Veliaj.

Nga ana tjetër, Bashkia e Tiranës ka planifikuar uljen e taksës së tabelës duke e zeruar atë për sipërfaqe deri në 2 metra katrorë, por duke mos hequr atë të taksës së reklamave. “Taksa e tabelës megjithëse ka një kosto të ulët ka qenë një dhimbje koke për çdo sipërmarrës. Taksa e tabelës nëse dikush harronte për ta paguar, 120 lekëshi i famshëm, i bllokoheshin llogaritë. Ndaj kemi vendosur ta ulim atë”, tha Veliaj.

SHKARKO APP