Veliaj uron nxënësit e Tiranës: Jeni aleatët e mi, më jepni kurajë për transformimin e qytetit tonë
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u ka dërguar një letër urimi në ditën e parë të shkollës të gjithë nxënësve të kryeqytetit. Në letrën me këshilla për ta, Veliaj shprehet se për kthimin e tyre në shkolla në këtë vit të vështirë si pasojë e pandemisë, Bashkia ka përveshur mëngët prej disa javësh për t’u kujdesur që e gjithë infrastruktura arsimore të jetë gati dhe e dezinfektuar.
Letra e plotë:
Përshëndetje të dashur nxënës!
E di që mezi e keni pritur fillimin e shkollës. Rikthimi në klasë, takimi me shokët dhe shoqet është një çast që edhe unë, në moshën tuaj, mezi e prisja. Më kujtohet ndjesia e ngrohtë që të përshkon zemrën sapo nis diçka të re, si të ishte një aventurë, plot energji për të bërë edhe më mirë, edhe më shumë, se vitin e kaluar. Koha që po jetojmë me pandeminë nuk është aspak e lehtë dhe këtë vit, dita e parë e shkollës do të jetë shumë më ndryshe nga herët e tjera. Disa nga ju do ta ndjekin mësimin online, kurse pjesa tjetër në klasa, me maska dhe dezinfektues, duke ruajtur distancën nga njëri-tjetri. Për kthimin tuaj në shkolla, ne kemi përveshur mëngët prej disa javësh për t’u kujdesur që, e gjithë infrastruktura arsimore të jetë gati dhe e dezinfektuar. Jam i vetëdijshëm se mësimi në distancë ka paraqitur shumë sfida për ju dhe familjen tuaj, por ne në Tiranë dimë të bëhemi bashkë edhe në kohërat më të vështira. Ndaj, kam shumë besim tek ju, mësuesit, dhe familjet tuaja, që së bashku do ta kthejmë këtë sfidë në një përvojë të jashtëzakonshme jetësore.
Dy tërmetet dhe pandemia na mësuan se në jetë mund të humbasim gjithçka, por jo atë që kemi në kokë, dijen. Kjo shpjegon pse për Bashkinë e Tiranës shkollat e reja janë një mision i përditshëm sepse bëhen për të ardhmen tuaj. Krahas 17 shkollave të reja që po ndërtohen në Tiranë, bashkë me Qeverinë, po rindërtojmë edhe 11 shkolla të tjera, të cilat u dëmtuan nga tërmeti. Për ne është e rëndësishme që ju të mësoni në kushte më të mira, në hapësira më të mëdha, të stërviteni në palestra e fusha sportive të reja, të kryeni mësimin në laboratorë të mirëpajisur.
Por, këtë mision nuk mund ta çojmë të vetëm përpara, pa ju, aleatët e mi më të mirë, që më jepni kurajë dhe energji për transformimin e qytetit tonë! Për këtë, ju falenderoj nga zemra! Kjo është arsyeja pse çdo ditë, një orë nga koha ime, e ndaj me të rinj të zgjuar dhe ambiciozë, ku njihem me idetë dhe planet tuaja fantastike dhe diskutojmë sesi mund t’i realizojmë ato bashkërisht. Prandaj, jam kaq entuziast që Piramida po shndërrohet shpejt në një “katedrale të edukimit”, ku të rinjtë e Tiranës do të marrin njohuri cilësore në mësimin e teknologjisë dhe gjuhës së kodimit.
Shumë punë na presin! Por, hap pas hapi, sfidë pas sfide, sukses pas suksesi, së bashku po ndërtojmë qytetin që Ju ëndërroni, sepse do të jeni ju ata që do ta rishkruani atë që është e pamundur sot, në atë që do të jetë e mundur nesër. Besoni në veten tuaj, siç beson familja juaj dhe unë tek Ju.
Gjithmonë fansi juaj më i madh,
Erion VELIAJ