Velipoja bosh, administratori: 80% e rezervimeve janë anuluar

Velipoja po bëhet gati për nisjen e sezonit turistik, edhe pse nuk ka një vendim nga qeveria për hapjen e plazheve. Administratori dhe operatorët turistikë shpresojnë të hapet kufiri me Kosovën, pasi deri më tani pjesa më e madhe e rezervimeve janë anuluar. Velipoja është e boshatisur këtë fillim-maji ndryshe nga vitet e tjera kur kishin mbërritur turistët e parë.

Çadrat ende nuk janë hapur, në breg shihet vetëm një fadromë e njësisë administrative që po heq mbeturinat nga rëra. Situata e krijuar nga pandemia e koronavirusit ka ndikuar në anulimin e prenotimeve për muajt prill,maj dhe qershor. Administratori i Velipojës, Altin Kaçi tha për Report Tv se mbyllja e kufijve veçanërisht me Kosovën ka sjellë një dëm të madh ekonomik për turizmin në Velipojë. “Rreth 80% e rezervimeve janë anuluar, një 20 përqindsh nuk janë konfirmuar as ata”.

Ndërsa Lekë Marku që ka një restorant në Velipojë kërkon që qeveria të marrë sa më shpejt vendimin për të hapur plazhin. Ai shprehet se është i gatshëm t’i përgjigjet masave të reja për distancimin social dhe higjienën.

SHKARKO APP