Veliu: 25 punonjës policie me Covid-19
Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ka deklaruar gjatë raportimit në Komisionin për Sigurinë Kombëtare se që nga nisja e pandemisë janë prekur 25 persona në radhët e policisë por tashmë janë shëruar të gjithë. Nga ana tjetër, ai theksoi se janë marrë masa për mirëorganizimin e punës së policisë por shtoi se ka pasur edhe raste problematike duke veçuar rastin e Himarës ku theksoi se mungonte mobilizimi kundër Covid-19.
“Shtrirja e pandemisë kaloi më shumë se dy muaj dhe ka pasur edhe raste kur punonjës policie nuk e ka kryer më së miri detyrën. Janë marrë masa për ta dhe për një pjesë kanë nisur hetimet. Janë marrë masa ndaj komisariatit të Himarë sepse kishin të bënim me mungesë të strukturës organizative. Ka pasur tendencë për të organizuar tubime apo protesta. Për të gjitha rastet janë referuar pranë prokurorive të rretheve gjyqësore aty ku kanë ndodhur tubimet. Janë marrë masa në zbatim të aktit normativ ne shoqërime, gjobë apo bllokim mjeti”.
Për më tepër, Veliu nënvizoi se pavarësisht situatës së pandemisë janë zbardhur në kohë të gjithë ngjarjet kriminale, ndërsa theksoi problematikën e numrit të ulët të efektivëve të policisë.
”Policia e ka organizuar punën e saj në bazë të zonës policore në zona të caktuara. Të gjithë së bashku kanë monitoruar të gjithë territorin në bazë të kësaj ndarjeje. Ne jemi në gjendje të kontrollojmë territorin sa i përket ngjarjeve kriminale që ndodhin edhe në kohë pandemie. Rastet kriminale të evidentuara në Lezhë apo në Durrës janë zbardhur si dhe janë arrestuar autorët. Numri i punonjësve të policisë është një strategji e miratuar për të shtuar numrin nga viti në vit. Duhet të ishim në 12 mijë, por sot jemi në 11 mijë. Që mesatarja të afrohet me vendet e tjera të rajonit. Deklaroj me përgjegjësi që ngjarjet e rënda kriminale kanë një ulje të theksuar. Numri i vrasjeve është 9 raste më pak se në të njëjtën periudhë në vitin e kaluar, gati 20% ngjarje në krahasim me vitin e kaluar. Në tërësi krimet janë më të ulëta. Kjo nuk është vetëm si rezultat i mbylljes së qytetarëve, por edhe prezencës së shtuar të punonjësve të policisë. Policia prej ditës së parë të pandemisë ka qenë në gatishmëri, ka punuar 12 orë në territorin e vendit. Mundësia për të arritur objektivin do na ndihmonte jashtë mase. Puna vështirësohet nëse nuk do të ketë teknologji apo mjetet e duhura. Kërkoj mbështetje për ta bërë punën tonë sa më proaktive për të parandaluar krimet”.