Veliu në Shkodër, ish-deputetja: Në qytet ka më shumë se 4 banda që qeveria bashkëpunon
Mbledhja e Policisë së Shkodrës, për të analizuar punën e vitit 2019 është komentuar edhe nga ish-deputetja e PD-së e këtij qarku, Izmira Ulqinaku. Me ironi ajo thotë se kryepolici la porosi për hajdutët e biçikletave. ”Shkodra nuk është shquar kurrë për vjedhje dhe nuk është kjo që kërcënon jetën e shkodranëve. Ajo që shqetëson bashkëqytetarët e mi dhe po i bën të braktisin vendin janë presionet nga bandat. Ekzistojnë më shumë se 4 banda në Shkodër që ju dhe Qeveria juaj bashkëpunon. Ato sillen në qytet të lirë dhe të pashqetësuar gjobisin bizneset”,-shkruan në facebook ish-deputetja.
Postimi i plotë
Në analizën për vitin 2019 të zhvilluar në Drejtorinë e Policisë Shkodër, Veliu ka deklaruar se është ndër vitet e suksesshme të Policisë së Shtetit dhe ka dhënë vlerësime për ngjarje të rënda kriminale. Sipas tij, ajo që shqetëson më së tepërmi qytetarët e Shkodrës janë vjedhjet e sendeve me vlerë dhe sidomos të banesave e biçikletave.
Të nderuar drejtues të Policisë që rrini e sbëzani kur budallepset shefi e duartrokisni dhe i miratoni çdo lajthitje,
Shkodra nuk është shquar kurrë për vjedhje dhe nuk është kjo që kërcënon jetën e shkodranëve. Ajo që shqetëson bashkëqytetarët e mi dhe po i bën të braktisin vendin janë presionet nga bandat. Ekzistojnë më shumë se 4 banda në Shkodër që ju dhe Qeveria juaj bashkëpunon. Ato sillen në qytet të lirë dhe të pashqetësuar gjobisin bizneset.
Në 2017, ato blenë vota pafund për llogari të Edi Ramës, me lekët e drogës. Ju e dini fort mirë që zonat e thella të Shkodrës janë zënë për kultivimin e lendëve narkotike dhe kjo as nuk diskutohet në mbledhjet që organizoni. Ajo që po bëni është vetëm SHOW, prandaj meqë keni 6 vite që nuk bëni detyrën, mos ejani në Shkodër e të na bllokoni qendren e qytetit.