Veliu takim me zyrtarët amerikanë, nënshkruhen marrëveshje për Njësinë e Pasagjerit
Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, zhvilloi këtë të enjte një takim me përfaqësues nga Departamenti i Sigurisë së Brendshme dhe ai për Doganat dhe Sigurinë e Kufirit të SHBA-së dhe nga ambasada e SHBA-së në Tiranë. Në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit është zhvilluar një takim i rëndësishëm mbi Njësinë e Informacionit të Pasagjerit. Veliu, drejtues të disa departamenteve në DPPSH dhe përfaqësues nga Ministria pritën përfaqësuesit nga ambasada Amerikane, Patrick Shea dhe Tobei Arai oficer politik/ushtarak, si dhe përfaqësuesen nga zyra e EXBS,Vilma Guri.
Ata kanë diskutuar mbi të ardhmen e Njësisë së Pasagjerit, hapat e mëtejshëm për sistemet e përdorura nga kjo e fundit në shërbim të sigurisë në përgjithësi e të sigurisë kombëtare në veçanti, si dhe mbi çështje të ndryshme që mund të kenë strukturat policore në kuadër të marrëveshjes ndërmjet dy qeverive të vendeve tona dhe vijimësinë e saj.
Në fokusin e takimit, krahas nënshkrimit të dy dokumenteve teknike përkatësisht “Marrëveshje për sigurinë e Ndërlidhjes ndërmjet MB të Republikës së Shqipërisë dhe Departamentit Amerikan për Sigurinë e Atdheut, Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit të SHBA” dhe “Marrëveshje për Sigurinë e Ndërlidhjes ndërmjet MB të Republikës së Shqipërisë dhe Departamentit Amerikan për Sigurinë e Atdheut, Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit të SHBA për Sistemin e Avancuar e Informacionit për Pasagjerët (APIS)/Sistemi i Automatizuar i Targetimit (ATS) dhe Sistemi i Automatizuar i Targetimit Global ATS-G), u fol gjithashtu për të ardhmen e Njësisë së re të Policisë Kriminale shqiptare të Informacionit të Pasagjerit.
Veliu vlerësoi rolin e madh të Shteteve të Bashkuara për mbështetjen në ngritjen e Njësisë së Informacionit të Pasagjerit. Ai theksoi se është dashur jo pak punë për bazën ligjore që tashmë është e plotë dhe e përafruar me standardet më të fundit të BE-së dhe ato ndërkombëtare. Njësia tashmë ka selinë e saj në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe me Urdhër të Ministrit të Brendshëm është përcaktuar struktura e saj në varësi të Departamentit të Policisë Kriminale.
Koloneli Shea shprehu falënderimet e tij për bashkëpunimin dhe cilësoi punën me Policinë shqiptare, si më e mira ndër vendet me të cilat SHBA është duke implementuar të njëjtin projekt. Ai konfirmoi dëshirën e SHBA-së për të rritur kapacitetet e Njësisë së Informacionit të Pasagjerit, me trajnime dhe programe të përditësuara për shkak të rëndësisë që ajo ka në sfidat e reja me të cilat përballet bota. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit firmosi në fund të takimit, dy dokumentet teknike që përbëjnë bazën ligjore për përdorimin e sistemeve nga ana e Njësisë së Informacionit të Pasagjerit.