Veliu urdhër policëve: Hiqni telefonat gjatë shërbimit!

Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, u ka komunikuar vartësve të tij dy urdhra të cilat konsistojnë me heqjen e telefonave gjatë shërbimit dhe përpilimit të një procesverbali. Ky urdhër lidhet me shmangien e rrjedhjes së informacionit dhe dekonspirimit të punës së policisë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, i ka komunikuar vartësve të tij dy urdhra të rinj, të cilat kanë të bëjnë me heqjen e telefonave nga efektivët e policisë gjatë shërbimit dhe përpilimin e një procesverbali mbi punën e përditshme.

Sipas urdhrit të ri, disa kategori të strukturave të policisë, përfshirë ata që janë në terren nuk duhet të mbajnë telefonat me vete, por ti dorëzojnë përpara se të nisin shërbimin.

Sipas këtij urdhri, komunikimi do të bëhet vetëm me radion e policisë, për të shmangur rrjedhjen e informacionit apo dekonspirimet e punës së punonjësve të policisë.

Urdhri i dytë lidhet me agjentët e policisë, për të cilët Veliu ka kërkuar që në fund të ditës të përpilojnë një procesverbal mbi rutinën, çfarë kanë hetuar, kontrolluar apo takuar gjatë ditës.

Ky urdhër u dha nga drejtori Veliu gjatë takimit në Drejtorinë e Tiranës me drejtues, shefat e krimeve, rendit dhe sektorësh të ndryshme mbi ngjarjet e fundit kriminale dhe analizën mbi atë që është bërë deri tani.

Urdhri i Veliut vjen pak ditë pas mesazheve që Sandër Lleshaj u dha në Lezhë drejtuesve të policisë, të ruajnë sekretin hetimor, pasi ka pasur rrjedhje të informacioneve.

Ai kërkoi që asgjë të mos dalë në media nga informacionet që përbëjnë sekret hetimor.

Viti ka filluar më disa ngjarje kriminale, pjesa më e madhe e të cilave janë të pa zbardhura akoma.

Ende pa u mbyllur muaji janar janë kryer 5 vrasje, ku 3 prej tyre atentate mafioze.

Për situatën kriminale kryeson kryeqyteti, me 2 vrasje, një grabitje me armë zjarri dhe me pengmarrjen e një 59-vjeçari, fati i të cilit ende nuk dihet.

SHKARKO APP