Vëllai i 50-vjeçarit të arrestuar në Dibër: Po merrej me lulet në verandën e lokalit. Erdhën katër civilë dhe e morën zvarrë
Bahri Besatari, vëllai i 50-vjeçarit nga Dibra të arrestuar sot, pasi hapi lokalin në kundërshtim me ligjin, kundërshton versionin e policisë për ngjarjen.
Ai ka thënë se Vëllai në momentin kur e ka marrë policia kishte qenë në verandën e lokalit duke rregulluar lulet dhe më pas katër civilë e kanë marrë zvarrë.
“Jam banor i qytetit të Peshkopisë, këtë bar kafe e kam bashkë me vëllain. Lart kam familjen. Dje pasdite më njoftojnë komshinjtë, më thonë hajde në lokal se po bëhet një sherr i madh. Kur erdha pashë një komshi që po rregullonte derën dhe vëllain e kishin marrë forcat e policisë. Ai po merrej me lulet në verandën e lokalit.
Erdhën e morën 4 persona civilë, në krye të detyrës por ishin civilë, më thanë se ishte shefi i komisariatit. Ky ka debatuar me vëllain, e marr me mend se vëllai i ka thënë jam brenda pronës time. Ata na kanë akuzuar se e kemi pasur lokalin të hapur, në një kohë që nuk është e vërtetë.
Ato kanë pretenduar se këtu po ushtrohet një aktivitet i paligjshëm, në një kohë që thonë se ka pasur këtu edhe 2 klientë. Kjo nuk është e vërtetë, vëllain e kanë tërhequr zvarrë, është ushtruar një dhunë e paparë. Kam dëshmitarë që e kanë parë. Kjo është dhunë ndaj një biznesi që paguan taksa për 26 vite, kjo ndodh vetëm në Shqipëri. Këtu gjysma e qytetit i mban hapur lokalet, vëllain tim e tërhoqën zvarrë vetëm se po merrej me lulet, Do mbajnë përgjegjësi për këtë”,- tha ai.
Bahri Besatari tha po ashtu se edhe ata do t’i drejtohen organeve të drejtësisë për rastin në fjalë.
Më herët policia njoftoi se gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin “Bar Kafe” në qytetin e Peshkopisë, 50-vjeçari i ka goditur, kërcënuar dhe kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë, duke mos iu bindur urdhrave të tyre për kontrollin e lokalit dhe shoqërimin e tij në komisariat.