Vëllai i shqiptarit të vrarë në SHBA: Gruaja e theri për pasurinë

 

“Kunata kriminele e vrau vëllain tim për para. Që para se të ikte në Amerikë, ajo thoshte gjithmonë se lekët do i mbante vetë dhe se do pasuronte gjithë të afërmit e saj. Ne i merrnin me shaka fjalët e saj, por që të arrinte deri këtu dhe të vriste babain e fëmijëve të saj, vetëm për të gllabëruar pasurinë e tij, nuk na shkonte nëpër mend.

Ajo duhet dënuar me vdekje, sepse e vrau në mënyrë të pamëshirshme Valmirin dhe la jetim fëmijët në një shtet të huaj. Ajo e vrau dhe me lekët e vëllait tim paguan lirinë e saj”.

Kështu u shpreh dje Albert Keço, vëllai i 43-vjeçarit Valmir Keco, i cili pak ditë më parë u vra me thikë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ngjarja e rëndë ka shokuar familjarët e viktimës, të cilët thanë se lajmin e hidhur e kanë mësuar nga të afërmit e tyre që jetojnë në Amerikë. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Albert Keço, pohoi se, vëllai i tij i vogël ka ikur 15 vite më parë në SHBA, pasi fitoi lotarinë amerikane dhe se më pas ka tërhequr atje dhe të shoqen, Anila Keçon.

Vëllai i viktimës bëri me dije se pas shpërnguljes në Amerikë, vëllai i tij kishte mosmarrëveshje me gruan, ndaj dhe kishte kërkuar edhe divorcin.

Gjithashtu, Albert Keço deklaroi se “kunata e ka kryer krimin me paramendim. Para se ajo të kryente krimin makabër, ka larguar dy vajzat e mitura nga banesa, duke i çuar në një qendër sociale. Më pas është kthyer në banesë dhe ka gjetur bashkëshortin në gjumë.

Duke përfituar nga kjo, Anila ka marrë thikën dhe e ka goditur në gjoks dhe më pas është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Kanë qenë fqinjët, të cilët e kanë parë Valmirin me thikë në gjoks dhe më pas kanë sinjalizuar policinë.

Nuk është e vërtetë se ajo e ka kryer krimin për vetëmbrojtje. Im vëlla ishte i urtë dhe asnjëherë i dhunshëm. Edhe pse ai kishte kërkuar divorcin, kunata nuk kishte pranuar, pasi donte lekët e tij”.

Si e mësuat ngjarjen e rëndë për vrasjen e vëllait tuaj nga bashkëshortja e tij?

Unë kam qenë në shtëpi kur më ka marrë në telefon një kushëriri im, që jeton në Amerikë dhe më tha që duhet të bëhesha i fortë, pasi Mirin e kishin vrarë. Nuk po u besoja veshëve. Pasi u qetësova, e pyeta se si kishte ndodhur. U tmerrova kur më tha që vëllain e kishte vrarë Anila, kunata ime. Një kriminele e lindur, pasi ajo ishte, nervoze dhe shumë agresive prej ditës që ka ardhur nuse në derën tonë. Mjerë vëllai ynë që i ra fati të lidhej me një femër të çmendur.

Kur është larguar Valmiri nga Shqipëria dhe si ecte jeta e tyre në çift?

Valmiri fitoi lotarinë amerikane dhe shkoi në Amerikë para 15 vjetëve. Ai punonte dhe jetonte shumë mirë. Më pas u martua me Anilën, të cilën e mori në vendin ku jetonte. Ata kanë edhe dy vajza, 10 dhe 8 vjeç. Fillimisht jetonin mirë, por më pas kishin shumë mosmarrëveshje me njëri­-tjetrin. Valmiri u thoshte shpesh prindërve për problemet që kishte me të shoqen. Prej momentit që ajo shkoi në Amerikë, nuk e pyeste farë burrin e saj, prishte lekët sipas qejfit dhe u dërgonte nënës dhe dy vëllezërve të saj shuma të mëdha. Vëllai im punonte natë edhe ditë në një kompani ndërtimesh, ndërsa ajo mbante të tjerët me lekë. Kjo ishte arsyeja kryesore që shkaktonte debat midis tyre. Kohët e fundit, Valmiri ishte shumë i rënduar psikologjikisht, pasi ajo ushtronte dhunë ndaj tij, duke i thënë se nëse nuk i jepte lekë, do të largohej me vajzat dhe nuk do e lejonte t’i takonte asnjëherë.

Sipas jush pse e ka vrarë vëllain tuaj, Anila Keco?

Për para dhe këtë e them me bindjen më të madhe. Ajo ishte e pangopur për lekë dhe thoshte gjithmonë që para se të largohej në Amerikë që lekët do i mbaj unë dhe se do pasuroj të gjithë të afërmit e mi. Ne i merrnin me shaka fjalët e saj, por që të arrinte deri këtu dhe të vriste babain e fëmijëve të saj vetëm për të gllabëruar pasurinë e tij, nuk na shkonte nëpër mend. Ajo duhet dënuar me vdekje, sepse e vrau në mënyrë të pamëshirshme tim vëlla, duke i lënë fëmijët jetimë në një shtet të huaj. Ajo ka paguar 200 mijë dollarë garanci në shtetin amerikan për t’u hetuar në gjendje të lirë. Ato janë lekët e vëllait tim. E vrau dhe me lekët e tij paguan lirinë e saj.

Cili është apeli juaj?

I kërkoj ndihmë me përulësi Ministrisë së Jashtme që të bëjë diçka për zbardhjen e vrasjes së vëllait tim dhe ajo e mallkuar të dënohet për krimin që kreu (qan). Ne s’kemi asnjë mundësi ekonomike që të shkojmë dhe të kërkojmë të drejtën në SHBA. Një lutje nga nëna e sëmurë e Valmirit, nga babai i vrarë në shpirt, një lutje nga motra që vajton për vëllain e vogël dhe një lutje nga unë që humba krahun tim të djathë.

Nëse nuk vihet drejtësia në vend çfarë do të bëni ju?

Ne nuk jemi kriminelë dhe nuk themi që do marrim hak, por nëse nuk dënohet ajo kriminele nga zemra e përvëluar nga dhimbja edhe mund të bëhemi si ajo femër e mallkuar./GSH/

SHKARKO APP