Vendim i qeverisë, ushtarët shqiptarë do të trajnojnë ukrainasit në bazën e NATO-s
Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për dërgimin e 4 ushtarëve shqiptarë në Komandën e NATO-s në Wiesbaden, Gjermani. Kjo për të kontribuar në ndihmën dhe trajnimin e Forcave të Armatosura të Ukrainës. Ky vendim ka si qëllim mbështetje direkte për forcimin e kapaciteteve të ushtrisë ukrainase në kuadër të luftës ndaj agresionit rus.
Misioni i personelit shqiptar do të ketë një kohëzgjatje 3-vjeçare, me rotacion prej 180 ditësh për secilin ushtar.
Ministria e Mbrojtjes do të mbulojë të gjitha shpenzimet për pjesëmarrësit, përfshirë dietat, akomodimin, ushqimin, sigurimet dhe shpenzimet për shërbimet e tjera të nevojshme, si transporti dhe mbështetje shëndetësore.
Ky angazhim i Shqipërisë vjen në kuadër të mbështetjes së vazhdueshme për Ukrainën dhe forcimit të marrëdhënieve me NATO-n.