Vendimet e Parlamentit date 30 Tetor 2014

Seanca plenare  vijoi me diskutime lidhur me  projektligjin “Për njoftimin dhe konsultimin publik.”, i cili u votua me 79 vota pro.

Në emër të grupit të LSI-së, znj. Silva Caka, tha se hartimi i një ligji për njoftimin dhe konsultimin me palët e interesuara, është parë si domosdoshmëri, në kuadër të nismës për një qeverisje sa më transparente, me qëllim pjesëmarrjen e tyre në hartimin, por dhe në vendimmarrjen në akte zyrtare.

Sipas Znj. Caka, njoftimi dhe konsultimi i publikut, si pjesë e të drejtës për informim, mundëson që një numër i madh personash dhe institucionesh, që mund të jenë ekspertë apo OJF, të kontribuojnë në përgatitjen e legjislacionit.

Ndërsa sipas deputetes së PS-së, znj. Vasilika Hysi, ky ligj me miratimin tij do të rrisë më shumë transparencën e qeverisjes. “Konsultimi publik është një domosdoshmëri në kuadër të qeverisjes, për një qeverisje sa më transparente me qëllim pjesëmarrjen e publikut në hartimin, por dhe në vendimmarrjet lidhur me aktet më të rëndësishme zyrtare. Është ushtrimi i së drejtës për informim, sepse pikërisht konsultimi me publikun, i mundëson opinionit publik, grupeve të interesit të informohen dhe kjo është një e drejtë themelore e garantuar në Kushtetutë dhe se me këtë ligj institucionalizohet. Qeveria do të marrë parasysh në kohë të gjitha shqetësimet që kanë grupet e caktuara para se kjo nismë të kalojë në Kuvend”, tha znj. Hysi.

Në fjalën e saj, Ministrja e Inovacionit, Milena Harito, theksoi se tashmë ky vendim është gati dhe se janë bërë të gjitha konsultimet me shoqërinë civile.

“U realizuan konsultime me grupe të ndryshme të interesit dhe gjithëpërfshirje. Shoqatat e të drejtave të njeriut kanë bërë propozimet e tyre. Ne kemi nisur të aplikojmë paraprakisht procesin”,tha znj. Harito.

 

Pas fjalës së Ministres Harito, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, u kërkoi ministrave që të respektojnë rregulloren e Kuvendit, sa i përket radhës së fjalës, duke sqaruar se pasi flasin përfaqësuesit e grupeve parlamentare, ministrat nuk kanë më të drejtë ta marrin fjalën.

“Ju ministra kur vini këtu në Parlament, pavarësisht se nuk është opozita, jemi ne këtu që do kërkojmë llogari. Kur vini këtu duhet të përgjigjeni si ministër për administrimin e sistemit të ndërmarrjes që keni në varësi. Herën tjetër si mazhorancë është apo jo opozita, do t’u thërrasim në interpelancë për të gjitha këto”, tha z. Ruçi.

Kryeministri Edi Rama tha se duhen pesë vite për ta kthyer sistemin energjetik me fitim. “Na duhen pesë vite që të kalojmë nga një fazë ku subvencionojmë me borxhe mbajtjen në këmbë të sistemit. Humbasim çdo vit mundësinë për të ndërtuar qindra kilometra rrugë, gjashtë spitale, humbasim çdo vit një shumë të barabartë me atë që paguhen për gjithë personat në nevojë. Do kalojmë në një fazë tjetër të historisë së këtij vendi, kur të kalojmë nga humbjet te fitimet. Të na vijnë jo vetëm paratë mbrapsht, por edhe të ardhura shtesë, për të financuar nevojat e mëdha. Kjo është ambicia jonë”, tha Rama.

Gjithashtu, Kryeministri bëri me dije se ditën e hënë qeveria do të dërgojë në Parlament buxhetin e vitit 2015, i cili sipas tij, garanton rritjen e pensioneve për një sërë kategorish, të cilëve në këtë mënyrë do t’u rimbursohet edhe rritja e çmimit të energjisë elektrike.

 

Gjatë fjalës së tij, Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, u shpreh se projektligji “Për shërbimin e urgjencës mjekësore”, synon ngritjen e një sistemi të unifikuar të urgjencës mjekësore në rang Kombëtar, shpëtimin e jetëve të njerëzve. “Përmes këtij projektligji do të përmirësojmë shumë shërbimin e urgjencës mjekësore, i cili do të jetë sa më pranë qytetarëve shqiptar me standarde bashkëkohor,e efikasitet të shpejtë, të sigurt dhe me cilësi”, tha z. Beqaj.

Ndërsa në emër të grupit të LSI-së, z. Vasili tha se nisma i jep përgjigje të re mangësive, më të artikuluar, më të koordinuar dhe që e pozicionon dhe e orienton sistemin e urgjencave shqiptare në një sistem, i cili racionalizon më mirë edhe fuqitë dhe energjitë e tij. “ Unë shpreh opinionin tim pozitiv për ligjin, i cili është i ekuilibruar, jep gjithë gamën e problematikave dhe mënyrën e orientimit të këtij sistemi në nivel kombëtar, gjë të cilën e kam shprehur edhe në Komisionin e Shëndetësisë, i cili ka qenë mjaft aktiv në shqyrtimin e ligjit, por edhe në një përmirësim besoj jo thelbësor që i është bërë atij, me përjashtim të një neni që unë e konsideroj thelbësor, siç ka qenë shtimi i nenit për personelin paramedikal, i cili për mënyrën sesi funksionon urgjenca, për kapilaritetin e saj, për vështirësitë e relievit dhe për njëmijë problematika të tjera që ajo ka, përbën sigurisht një zhvillim i cili është jo vetëm i domosdoshëm, por edhe i pazëvendësueshëm në pikëpamjen e prakticitetit”, tha z. Vasili.

 

Gjithashtu, nënkryetarja e Komisionit të Shëndetësisë, znj. Klodiana Spahiu,  tha se ky projektligj është një nga angazhimet e programit të koalicionit në fushën e shëndetësisë.

“Risi e sjellë sa i përket organizimit është ngritja e sistemit komandë të kontrollit të urgjencave mjekësore. Njësia e koordinimit do të kontrollojë të gjithë sistemin. Koordinimi i urgjencave do të bëhet përmes një numri të njëjtë 112. Duke pasur një panoramë të qartë të shpërndarjes së autoambulancave në të gjithë vendin, do të bëjë të mundur dhe dërgimin në kohë të autoambulancës më të afërt. Ajo që unë e vlerësoj shumë është dalja me zë në vete të buxhetit për urgjencën mjekësore”, u shpreh Spahiu. Ky projektligj u votua me 79 vota pro.

 

Kuvendi miratoi me  77 vota pro marrëveshjen “Për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për eksport, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, që vepron në emër të Republikës së Shqipërisë dhe i përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe UNIKREDIT BANK AUSTRIA AG, për financimin e projektit të sistemit të ujërave të zeza të Bilishtit, “Kontratë me çelësa në dorë-Loti 1” dhe me 76 vota pro marrëveshjen “Për ratifikimin e ndryshimit nr. 2 të marrëveshjes së ndihmës për objektiva zhvillimi, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, “Për forcimin e shtetit të së drejtës dhe qeverisjen e mirë dhe krijimin e kushteve për një rritje ekonomike me bazë të gjerë dhe të qëndrueshme”.

 

Në vijim, Kuvendi  miratoi me 79 vota pro projektvendim “Për procedurën paraprake të përzgjedhjes së dy anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë”.

Ndërsa rrëzoi me 7 vota pro, 67 kundër dhe 1 abstenim Dekretin nr. 8682, datë 18.08.2014 “Për emërimin e anëtarit të Gjykatës së Lartë, z. Sokol Ngresi”, kurse me 3 vota pro, 73 kundër dhe 3 abstenim Kuvendi rrëzoi Dekretin nr. 8683, datë 18.08.2014 “Për emërimin e anëtarit të Gjykatës së Lartë të znj. Elona Stavri (Toro)”.

Kuvendi miratoi me 77 vota pro, 2 kundër, projektvendim “Për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, znj. Albana Shtylla” dhe miratoi me 71 vota pro, 7 kundër dhe 1 abstenim projektvendim “Për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, z. Vangjel Kosta”. Kuvendi votoi dhe për dy Dekretet e Presidentit nr. 8539 dhe nr. 8540, datë 16.04.2014 “Për propozimin e anëtarit të Komisionit të Konkurrencës”. Nga procesi i votimit rezultoi se z. Eduard Ypi u zgjodh me 66 vota pro, 9 kundër dhe 3 abstenim, ndërsa kandidati Armand Afezolli, mori 12 vota pro, 63 kundër dhe 4 abstenim duke humbur procesin.

Lidhur me plotësimin e vendit vakant për Komisioner për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, Kuvendi zgjodhi fituese kandidaten Pranvera Stakosha me 73 vota pro, 4 kundër dhe 2 abstenim, ndërsa kandidatja Arbana Basha mori 8 vota pro, 86 kundër dhe 3 abstenim.

Në përfundim të seancës, Kuvendi miratoi projektvendimin “Për caktimin e disa anëtarëve zëvendësues në Komisionin e Përhershëm Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin”,  ku në përbërjen e tij do të jenë deputetët: Ervin Bushati,  Erjeta Alhysa,  Blerina Gjylameti, Dashamir Kamberi, Silva Caka  dhe Kejdi Mehmetaj. Projektvendimi “Për miratimin e përbërjes së komisionit hetimor “Për verifikimin e ligjshmërisë së emërimeve në detyrë në administratën shtetërore, entet publike apo shoqëritë tregtare shtetërore”, ngritur me vendimin nr. 82/2014 të Kuvendit”, u votua me 77 vota pro dhe në përbërje të tij janë: Taulant Balla nënkryetar, Evis Kushi, Majlinda Bufi, Ulsi Manja, Bujar Derveni. Projektvendimi “Për miratimin e përbërjes se komisionit hetimor “Për te kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi për administrimin e bazave të të dhënave shtetërore tatimore, si dhe për të njohur dhe verifikuar më thellë fenomenin e ndërhyrjes dhe të bllokimit për disa ditë të sistemeve elektronike tatimore”, ngritur me vendimin nr. 81/2014 të Kuvendit”, u votua me 76 vota pro dhe në përbërje të tij janë: Blendi Klosi nënkryetar, Vasilika Hysi, Blerina Gjylameti, Ervin Koci, Ervin Bushati, Përparim Spahiu.

Seanca plenare i mbylli punimet rreth orës 15:00.

 

SHKARKO APP