Vendimi i Gjykatës për zonën “Duty Free” në Rinas, reagon Ministria e Financave
Gjykata Administrative ka pranuar padinë e shoqërisë ADFD për shërbimin “duty free” në Rinas. Gjykata rrëzoi urdhrin e Ministrisë së Financave që i anuloi lejen e shfrytëzimit për 5 vjet të tjera të “duty free” ne Rinas nga ADFD.
Të pranishëm gjatë shpalljes së vendimit ishin edhe përfaqësues të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Gjermanisë.
Gjyqtari Avdi Sejdi pasi shpalli vendimin iu tha të pranishmëve: “Kur ta merrni vendimin e arsyetuar lexojeni me kujdes dhe do ta kuptoni se ku fle lepuri”.
Reagon Ministria e Financave
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka reaguar pas vendimit të gjykatës së Tiranës e cila vendosi të pranojë sot padinë e shoqërisë ADFD për zonën e dyqaneve “duty free” në Rinas duke rrëzuar në këtë mënyrë urdhrin e Financave që i anuloi lejen e shfrytëzimit për 5 vjet të tjera.
“Ministria e Financave dhe Ekonomisë shpreh keqardhjen për vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, ndaj Cështjes Administrative Civile, mbi vendimin administrativ për anulimin e autorizimit për magazinat doganore private Duty Free Shop.
Duke u rezervuar në interpretimet në themel të vendimmarrjes në cështjen në fjalë, theksojmë rëndësinë e sistemit gjyqësor edhe në klimën e biznesit dhe trajtimin e investitorëve të huaj në vend”, shprehet Ministria e Financave në qëndrimin e saj zyrtar.
Po kështu Ministria e Financave shprehet se “forcimi i Shtetit të së Drejtës mbetet prioritet për qeverinë shqiptare, në përfitim të qytetarëve dhe sipërmarrësve shqiptarë dhe të huaj”.
“Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të jetë përherë e hapur të presë propozimet e sektorit privat mbi cështjet e të bërit biznes dhe zhvillimin e një kuadri mbështetës për cdo investitor shqiptar dhe të huaj”, thuhet ndër të tjera.
Ndërkohë edhe Ministrja e Financave Anila Denaj ka reaguar në “Facebook” duke shpërndarë këtë qëndrim.
Që prej korrikut të vitit të kaluar, kur nënshkroi dhe kontratën me Tirana International Airport (TIA) shoqërinë që administron aeroportin e Tiranës, kompania amerikane International Cruise Duty Free, ICDF nuk ka mundur të marrë në zotërim zonën e dyqaneve “duty free”. Kompania shqiptare “Albanian Duty Free Development” ADFD pretendoi se licensa iu hoq pa të drejtë dhe se duhej të vazhdonte punën me një rinovim automatik të kontratës.