Vendimi për abortin në SHBA, Elona Gjebrea: Do të ndikojë në shëndetin psikosocial
Vendimi i Gjykatës Supreme që shfuqizon të drejtën e abortit në SHBA shihet si një hap pas në respektimin e të drejtave të vajzave dhe grave. Biologia dhe ish-deputetja Elona Gjebrea thotë se ky vendim do të ndikojë drejtpërdrejtë në shëndetin fizik, mendor, psikosocial të grave dhe vajzave që vijnë nga shtresa të varfra, vulnerable, gra emigrante, të papuna, gra të dhunuara.
“Të gjitha këto grupe të margjinalizuara janë të prekura. Nga ana tjetër, kjo mund të sjellë një efekt në shumë vende të tjera, të cilët e shikojnë SHBA-në si vendin ku të drejtat themelore janë shumë të respektuara dhe që mund të ndikojnë dhe nga lëvizjet që po shohim, duket se do të ketë ndikime.
Padyshim që në këtë drejtim është një hap mbrapa, për disa liri që kanë luftuar për shumë vite me radhë për t’i arritur dhe papritur kthehen pas dhe hapet sërish ky debat, që mund të ketë një efekt të përshkallëzuar në disa vende që mund të jenë dhe më të prekshme dhe që kanë arsye e kushte specifike që mund të jenë dhe më të ndjeshëm ndaj këtij vendimi”.
Me vendimin e Gjykatës Supreme, aborti nuk është bërë me automatizëm ilegal në SHBA, mirëpo shtetet mund të vendosin nëse do të lejojnë diçka të tillë. 26 shtete pritet të vendosin ndalesë apo të kufizojnë abortin në javët në vijim.