Vendimi për Ardian Dvoranin, Presidenca: Vendim i papranueshëm dhe do të ankimohet. SPAK nuk u thellua në hetime

Zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi bën të ditur se vendimi për Ardian Dvoranin është i papranueshëm dhe se do të ankimohet.

Dje Gjykata e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit rrëzoi kallëzimin e Presidentit të Republikës për ish-kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani.

Nga ana tjetër Blushi nënvizon se çështja u zvarrit dhe SPAK nuk u thellua në hetime. SPAK refuzoi ekspertizën e huaj dhe me vendimet e tij i dha mundësinë autorëve të krimeve penale të vijojnë në mbijetesën e tyre.

”Mjafton që SPAK ti ishte referuar gjetjeve dhe vlerësimeve të Komisionit të Venecias, dhe do gjente aty një vlerësim objektiv dhe një lexim të qartë të asaj, që ligji dhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë sanksionon, por edhe fajtorët se kush tentoi t’i rrëmbente Presidentit të drejtën e emërimit të gjyqtarit kushtetues, si dhe kush e la vendin 3 vjet pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë”.

Reagimi i plotë nga Tedi Blushi

U deshën plot 2 vite, që SPAK të kërkonte pushimin e procedimit penal ndaj personit nën hetim, z.Ardian Dvorani dhe ndaj ish-Ministres së Drejtësisë dhe vartësve të saj. Vendimi i sotëm i Gjyqtarit të Seancës Paraprake, që miratoi këtë kërkesë të Prokurorisë për pushimin e çështjes penale të nisur 2 vite më parë, me kallëzim të Presidentit të Republikës, është I PAPRANUESHËM dhe do të ANKIMOHET sipas rregullave procedurale dhe afateve, që përcakton Kodi i Procedurës Penale.

Kushdo, që ka konsumuar vepra penale dhe ka abuzuar me ushtrimin e funksionit publik, qoftë ish-anëtar i Gjykatës së Lartë, ish-Ministër Drejtësisë, apo funksionar tjetër i lartë do të përgjigjen para drejtësisë. Faktet janë aty dhe veprimet e faktuara kriminale nuk zhbëhen dot, pavarësisht vlerësimit jo objektiv të SPAK për të mos u thelluar në hetimin e mekanizmit dhe bashkëpunimit kriminal dhe në arsyetimin krejtësisht të gabuar mbi rrethanat e faktit dhe elementëve të veprave penale të konsumuara nga shtetasit e kallëzuar.

Rëndësia e kësaj çështjeje, pikërisht për shkak të cenimit të besimit të publikut tek Drejtësia, nuk mund të sfumohet duke e zvarritur në kohë, dhe as me hetime të cekta, që derivojnë nga thelbi i çështjes. Edhe një trupë ndërkombëtare ekspertize si Komisioni i Venecias veproi më shpejt dhe më objektivisht se SPAK.

Mjafton që SPAK ti ishte referuar gjetjeve dhe vlerësimeve të Komisionit të Venecias, dhe do gjente aty një vlerësim objektiv dhe një lexim të qartë të asaj, që ligji dhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë sanksionon, por edhe fajtorët se kush tentoi t’i rrëmbente Presidentit të drejtën e emërimit të gjyqtarit kushtetues, si dhe kush e la vendin 3 vjet pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë.

SPAK refuzoi ekspertizën e huaj dhe me vendimet e tij i dha mundësinë autorëve të krimeve penale të vijojnë në mbijetesën e tyre. Drejtësia ka ende kohë për të folur! E ardhmja u takon të vërtetave

SHKARKO APP