Vendimi për numëruesit, Idrizi: Kërkojmë garanci, ndryshe rishikojmë pozicionin

 

Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet paralajmëron se do të rishikojë pozicionin e saj politik pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, që la në fuqi vendimin e KQZ-së për të përjashtuar këtë parti nga përfaqësimi në grupet e numërimit të votave.

“Sigurisht që jam i keqardhur që u bënë të gjitha partitë bashkë që të mos prishnin status-quonë e tyre dhe pjesë e kësaj u bënë edhe PD dhe LSI. Sigurisht që në këto kushte, ne duhet të mendojmë pozicionin tonë dhe do të shohim se çfarë garancish reciproke do të kërkojmë në shkëmbim të mbështetjes për njëri-tjetrin. Ne nuk jemi një parti politike që mund të bëjnë gjithçka me ne dhe ne të rrimë të presim se si kësaj radhe na hoqën të drejtën ligjore, pastaj mund të na heqin votat. Por ne do ulemi dhe do të kërkojmë garancitë ligjore në mbështetjen reciproke të njëri-tjetrit. Nëse kjo garanci nuk na jepet, sigurisht që ne kemi të drejtë në forumet tona të shohim pozicionin e PDIU”, – tha për

“Ora News” kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi. Ai shtoi se vendimi i Kolegjit ishte i ndikuar politikisht, pasi në rast se do të kishte vepruar me të njëjtin standard si në 2009, do t’i jepte të drejtë PDIU-së. “Momenti me të cilin duhet vlerësuar përkatësia në shumicën apo pozitën parlamentare nuk është pozicioni faktik. Apo në kohën kur ka rezultuar vendimi i KQZ-së. Pra është në kohën kur ne kemi fituar të drejtën për të pasur numërues në zgjedhjet e fundit parlamentare. Nëse do marrim pozicionin faktik të partive, meqë këtu e kanë përcaktuar, sot PR nuk e fiton të drejtën që të ketë mbi dy mandate. Sot ka vetëm mandatin e zotit Duka, sepse dy të tjerët kanë ikur drejt LSI”, – tha Idrizi.

SHKARKO APP