Vendimi te Krimet për 34 të pandehurit, Haxhia: Proces skandaloz
Të arrestuarit fundjavën e kaluar dolën para Gjykatës tek Krimet e Rënda, nën masa të forta sigurie. Grupi i trafikantëve të drogës nga Shijaku pjesë të rrjetit kishte edhe të afërm të Klement Balilit. Pjesë e arrestimeve ishin edhe dy ish deputetë socialistë, Arben Çuko dhe Arben Ndoka për të cilët gjykata refuzoi ndarjen e dosjes sepse ata janë kryer vepra penale bashkëlidhur me anëtarët e bandës së drogës.
Ndërkohë, Krimet e Rënda kanë dhënë masën “arrest shtëpie” për 8 nga të arrestuarit e grupit “Avdylaj”. Ndërsa është dhënë masa “arrest me burg” për 24 të tjerë të arrestuar. Avokati i tyre, Maks Haxhiaj u shpreh se ky proces është i montuar nga organi i Prokurorisë.
”Fatkeqësisht ju sot nuk ishit në sallë dhe ky ishte një skenar i mirërregulluar dhe mirëfunksionuar. Juve fillimisht u dhënë informacion nga Prokuroria, ju atë informacion e hodhët në opinion. Por po të ishit sot në sallë do të krijoni një opinion tjetër. Proces më skandaloz, qesharak dhe antiligjor nuk kam parë ndonjëherë në 37 vjet të karrierës sime”,-tha Haxhia.
Me nisjen e seancës ku verifikohen kushtet e masave te shpallura më herët në mungesë, dy avokatet mbrojtës të ish-drejtorit të përgjithshëm të burgjeve Arben Çuko dhe Arben Ndoka kërkuan secili veçimin e çështjes së klientëve të tyre. Argumenti i mbrojtjes për rastin e ish-deputetit socialist ishte se Arben Ndoka dhe të bashkë dyshuarit me të për tjetërsimin e tokave shtetërore në Lezhë dyshohen për vepra që nuk janë kompetencë e Gjykatës së Krimeve të Rënda.
Bëhet fjalë për vepra të shpërdorimit të detyrës së ish-zyrtarëve të hipotekave sikurse dyshohet Xhevi Ndoka, të noterëve dhe punonjësve të ZRRPP që kanë ndihmuar familjen Ndoka të përfitojë tokë shtetërore përmes skemës së akt dhurimeve fiktive dhe tjetërsimin e truajve nga tokë shtetërore plazh dhe pyll në toke arë. Këto vepra tha avokati nuk janë kompetence e Krimeve të Rënda, por e Gjykatës së Lezhës.
Gjithashtu edhe avokati i ish-drejtorit të burgjeve Arben Çuko kërkoi veçimin përsa kohë ish-zyrtari dyshohet të ketë kryer korrupsion. Por gjykata e rrëzoi kërkesën sepse gjyqtari Bib Ndreca mendon se të 33 të dyshuarit që gjendeshin në sallë kanë kryer vepra që janë të bashkëlidhura me anëtarë të grupit “Avdylaj”.
Në rolin e gjetësit të drogës që bashkëpunon me grupin e Shijakut është edhe kushëriri i Klement Balilit, shtetasi Abedin Kuçi i cili shfaqet në përgjime duke marrë porosi, i cili mesa duket përveç lidhjeve të gjakut me baronin e drogës Balilaj, shfaqet në tentative për të trafikuar drogë edhe në Greqi. Prokurorët thanë se ushtarët e Abedin Kuçit janë arrestuar në kohë të ndryshme.
Gjatë seancës nuk kanë munguar edhe momentet e paparashikuara siç i ndodhi Vlash Gazullit, 74 vjeç, i cili humbi ndjenjat.
KOHA JONË SONDAZH

