Vendorët, 55 milionë euro detyrime – Si ndahet pesha në 61 bashkitë e vendit

Stoku i detyrimeve të prapambetura të pushtetit vendor arriti në një nivel prej rreth 6.6 miliardë lekësh apo 55 milionë eurosh, në fund të muajit shtator 2019, në rënie të lehtë nga fundi i vitit 2018. Pavarësisht detyrimit që kanë pasur nga qeveria qendrore për shlyerjen e tyre përmes një grafiku të mirëpërcaktuar, duket se vendorët nuk kanë bërë asnjë përmirësim të dukshëm në këtë drejtim dhe sërish vijojnë të kenë detyrime të larta ndaj palëve të treta.

Referuar raportit të Financave Vendore, peshën më të madhe e mban Bashkia Tiranë me 24.6 për qind, duke qenë se është edhe më e madhja në vend dhe niveli i investimeve është më i lartë, më pas renditet Bashkia Kavajë me 6.3 për qind, e ndjekur nga Bashkia Pogradec me 5.9 për qind, Kamëz me 5.1 për qind, Lezhë me 4.3 për qind, Vlorë me 4.2 për qind dhe Durrës e Dibër me 3.9 për qind respektivisht. Ndërsa 53 bashkitë e tjera zënë 36.4 për qind të totalit të detyrimeve të prapambetura.

Vlen të theksohet, se këto detyrime nuk janë të krijuara rishtazi, por janë akumuluar ndër vite, duke arritur një shumë të konsiderueshme që e bën të papërballueshme për buxhetin e bashkive shlyerjen e tyre të menjëhershme apo në një afat të shkurtër kohor. Një ndër shkaqet është edhe mbledhja e taksave dhe tarifave vendore në nivelin mestar 60-70 për qind si dhe shpenzimet e larta./ SCAN

SHKARKO APP