“Vendos bordi i kopshtit”, prindërit paguajnë rojen dhe ngrohjen në kopshte
Një prind që ka dy fëmijë solli shqetësimin me abuzimet në çerdhe dhe shkolla, për sa i përket materialeve bazë, që i kërkohen kur këto materiale duhet t’i sigurojë institucioni. Në shkolla sipas saj, kërkohen edhe para për të paguar rojen.
“Unë jam një prind i dy fëmijëve ku më i vogli është në çerdhe dhe më i madhi është në shkollë. Kam vënë re një abuzim shumë të madh nga drejtuesit, që do të thotë se ne na janë kërkuar përveç sendeve personale të fëmijës që i çojmë vetë, po na kërkohen lodra, letra apo lapsa. Në momentin që nuk funksionon ngrohësja ‘hajde mbledhim lekët, që të funksionojë ngrohësja’, tek pjesa e shkollës na kanë thënë të paguajmë 10 mijë lekë të vjetra për rojen e shkollës. Po pse detyrë e prindit është që të paguajë dhe rojen e shkollës? Është edhe pjesa e uniformës. Ne na caktohet çmimi dhe duhet të bëjmë pagesën tek shkolla për të marrë uniformën. Në rastin tim, që unë dua t’ia bëj vetë fëmijës, më thonë që nuk është e lejueshme. Kur unë kam pyetur zyshën kujdestare apo drejtoreshën më kanë thënë që ky është rregulli. Po se ku është i bazuar ky rregull, ku është i shkruar ky rregull unë nuk e di, nuk e kam marrë një përgjigje,” thotë denoncuesja.
Me kamera të fshehtë “Stop” u interesua në Drejtorinë e Përgjithshme të Çerdheve dhe Kopshteve, ku pohohet se baza materiale, ngrohja, ftohja janë të siguruara nga shteti dhe jo nga prindërit. Nga ana tjetër kontributi vullnetar mund të përdoret për diçka ekstra, që vendosin prindërit dhe stafi dhe nuk është me detyrim.
Qytetarja: Lodrat, lodra pellushi.
Informacioni: Jo, lodra, lodra ka çerdhja. Nuk ka nevojë të të kërkojë njeri, sepse i tenderojmë neve dhe çdo vit çohen lodra në kopsht.
Qytetarja: Kur prishet një pajisje, le të themi kondicioneri, a ngrohësja, ku di gjë unë…
Informacioni: Po!
Qytetarja: Duhet të paguajmë ne prindërit?
Informacioni: Jo! Nuk e ke me detyrim të paguash. Nuk është me detyrim.
Bazat materiale nuk duhet të sigurohen nga prindi, por institucionet përkatëse ashtu siç dhe u konfirmua.
Informacioni: Bordi drejtues i kopshtit është ai, që në fillim të vitit bëjnë mbledhje dhe bien dakord, nëqoftëse do të ketë një kontribut, që do të thotë 5 mijë lekë, 3 mijë lekë, 10 mijë lekë, si të duan të jenë dakord, ndërsa kjo tjetra pastaj është me dëshirë. Kush ka mundësinë, e paguan në bazë të asaj, që do vendosi bordi i kopshtit.
Qytetarja: Si i bëhet për këto pajisjet?
Informacioni: Jo asnjë nuk detyrohet, i kemi rregulluar ne të gjitha.
Qytetarja: Do rrijë e prishur?
Informacioni: Jo!
“Stop” siguroi një komunikim mes prindërve, bordit dhe stafit, ku kërkohen para për roje dhe uniforma.
“Mirëmbrëma! Po ju dërgoj njoftimin e këshillit të prindërve. Edhe këtë vit shkollor kontributi vullnetar për fëmijët është 1000 lekë të reja për familjet me 2 ose më shumë fëmijë kontributi është 500 lekë për fëmijë,” shkruhet në mesazh.
“Mirëdita! Jam nga këshilli i prindërve. Nuk e di nëse mbaruar së mbledhuri kontributet për rojen. Do ju dërgoj dhe një lajmërim për uniformat.”
“Përshëndetje! Uroj të jeni mirë! Ju lutem njoftoni klasat për porosinë e uniformave! Çmimi nuk ka ndryshuar! 700 T-shirt dhe 1300 felpa!”
“Kontributin për rojen e shkollës jo të gjithë e kanë sjellë. Njoftimin e uniformave vlerësojeni në kohë dhe bëni porositë. Ditë të mbarë!”
“Roja Xxxxx është privat që sipas drejtoreshës janë prindërit që e duan. Përveç tij është një roje tjetër që është i punësuar nga shkolla.”
Që nga koha, kur ministër Arsimi ishte Genc Pollo, është hartuar një udhëzim për kontribut vullnetar, ku janë përjashtuar ata, që nuk kanë pasur mundësi financiare. Ndërsa për uniformat, është procedurë që e ndjek shkolla. Për sa i përket punonjësve të sigurisë, ata paguhen nga bashkia dhe prindërit nuk ka pse të paguajnë për këtë./tvklan.al