Vendoset busti i Papa Françeskut, Veliaj: Ati i Shenjtë, shembull frymëzimi për të gjithë

U përurua sot në trekëndëshin e gjelbërt përballë Kambanës së Paqes, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” monumenti i Papa Françeskut, në kujtim të vizitës që ai zhvilloi në 21 shtator 2014 në Tiranë. Busti i tij u zbulua gjatë një ceremonie të posaçme nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, si dhe Nunci Apostolik në Tiranë, Arqipeshkvi Ramiro Moliner Iglès, me pjesëmarrjen e dhjetëra personaliteteve të tjera politike e fetare.

Në fjalën e tij në ceremoni, Presidenti Nishani vlerësoi lart figurën e Papa Françeskut dhe në mënyrë të veçantë përzgjedhjen që ai i bëri Tiranës, si pikënisje e vizitave të tij në shtetet evropiane. “Jam edhe i emocionuar sepse sot, në cilësinë e kryetarit të Shtetit Shqiptar, por edhe si qytetar i këtij vendi, mbushem me krenari kur mendoj se kemi fatin të jemi të gjithë dëshmitarë se si busti i Atit të Shenjtë po përurohet e përjetësohet pikërisht këtu, pranë Kambanës së Paqes, aq më tepër para ish muzeut të diktatorit, ideologjia e dështuar e të cilit dikur u përpoq të shembte kisha e xhami dhe të burgoste e vriste klerikë e besimtarë, të pafajshëm”, tha Nishani.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e nisi fjalën e tij me unanimitetin që treguan forcat politike të përfaqësuara në Këshillin Bashkiak të Tiranës, në miratimin e vendimit për vendosjen e bustit, si shenjë e vlerësimit të figurës së Papa Françeskut. “Nuk e di nëse ka ndonjë vendim tjetër të Këshillit Bashkiak që të jetë marrë në mënyrë kaq unanime dhe aq pa hezitim sa vendimi për të nderuar, sado modestisht, Atin e Shenjtë përmes këtij gjesti. Përtej tensioneve, përplasjeve e sherreve që kemi për shumëçka, nuk mund të mos ishim në një mendje për një çështje si kjo”, u shpreh kryebashkiaku. Gjithashtu, Veliaj theksoi se ardhja e Papa Franceskut në Shqipëri ishte padyshim një moment i bukur për të gjithë shqiptarët, pavarësisht përkatësive fetare, kjo pasi sipas tij, mesazhi që ai dha nuk lidhej ekskluzivisht me ndonjë besim fetar, por shkonte në zemër të filozofisë e moralit të secilit prej besimeve: mesazhi i vëllazërisë, harmonisë, bashkimit e solidaritetit.

“Ne shqiptarët kemi pasur e kemi një histori të vështirë. Por, asnjë nga këto vështirësi nuk i gjen rrënjët e saj te feja dhe besimi. Ajo që mund të ishte një arsye për t’u ndarë dhe për t’u përçarë, në Shqipëri ka rezultuar një faktor bashkimi. Me të drejtë, Ati i Shenjtë e quajti vëllazëri fetare. Një fjalë që ne s’e kishim përdorur kurrë për të përshkruar diçka që thjesht e marrim si të mirëqenë. Por, që në fakt është përshkrimi më i duhur i asaj çka kanë arritur të ndërtojnë të gjithë bashkë si shqiptarë, pavarësisht vështirësive”, tha Veliaj.

Më tej, kryetari i Bashkisë së Tiranës e cilësoi Atin e Shenjtë si një njeri të rrallë që flet hapur, pa doreza, dhe godet m’u në zemër probleme si ekstremizmi e konflikti, por edhe në mesazhet sociale që ai përcjell, si varfëria, pabarazia dhe nevoja për solidaritet. Mesazhe që, sipas Veliajt, janë në fokus edhe të punës së përditshme të bashkisë që ai drejton, duke mbështetur më shumë politikat për më të pamundurit e qytetit.

Në këtë ceremoni përshëndeti edhe zëvendëskryeministri, Niko Peleshi, i cili theksoi se vizita e Papa Françeskut, gati dy vite më parë, bëri të mundur që harmonia jonë fetare të njihej nga e gjithë bota. Ndërkohë, Nunci Apostolik në Tiranë, Arqipeshkvi Ramiro Moliner Iglès, pasi falenderoi Bashkinë e Tiranës për bashkëpunimin dhe nderimin e Papa Françeskut, theksoi se Shqipëria është shembull se bashkëjetesa paqësore mes besimtarëve e bashkësive të ndryshme fetare, është jo vetëm e dëshirueshme, por edhe konkretisht e mundshme dhe e realizueshme.

Busti është vepër e autorit Qazim Arifi dhe është realizuar falë bashkëpunimit mes Bashkisë së Tiranës dhe Ambasadës së Selisë së Shenjtë në Tiranë. Me vendosjen e këtij busti në këto mjedise krijohet një memorial në vlerësim të personaliteteve të shquara të Vatikanit, siç është Papa Gjon Pali II, që është bekuesi i simbolit të Këmbanës së Paqes dhe Papa Françeskut për vlerat e sipërmendura.

Më poshtë, fjala e plotë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në ceremoninë e përurimit të monumentit të Papa Françeskut.

I nderuar z. President i Republikës

I nderuar Nunc Apostolik,

Të nderuar përfaqësues të trupit diplomatik

Të nderuar të ftuar,

Nuk e di nëse ka ndonjë vendim tjetër të Këshillit Bashkiak që të jetë marrë në mënyrë aq unanime dhe aq pa hezitim sa vendimi për të nderuar sado modestisht Atin e Shenjtë përmes këtij gjesti. Përtej tensioneve, përplasjeve e sherreve që kemi për shumëçka, nuk mund të mos ishim në një mendje për një çështje si kjo, sikundër faktit që ka më shumë gjëra që na bashkojnë se ato që na ndajnë.

Ardhja e Papa Franceskut në Shqipëri ishte padyshim një moment i bukur për të gjithë shqiptarët, pavarësisht përkatësive fetare. Sepse mesazhi i Papës nuk lidhej ekskluzivisht me ndonjë besim fetar. Por shkonte në zemër të filozofisë e moralit të secilit prej besimeve: mesazhi i vëllazërisë, harmonisë, bashkimit e solidaritetit.

Ne shqiptarët kemi pasur e kemi një histori të vështirë. Por asnjë nga këto vështirësi nuk i gjen rrënjët e saj tek feja dhe besimi. Ajo që mund të ishte një arsye për tu ndarë dhe për t’u përçarë ka rezultuar në fakt në Shqipëri një faktor bashkimi. Ati i Shenjtë me të drejtë e quajti vëllazëri fetare. Një fjalë që ne s’e kishim përdorur kurrë për të përshkruar diçka që thjesht e marrim si të mirëqenë. Por që në fakt është përshkrimi më i duhur i asaj çka kanë arritur të ndërtojnë të gjithë bashkë si shqiptarë, pavarësisht vështirësive.

Historia e Shqipërisë, e vjetër dhe e re, është plot me shembuj të kësaj vëllazërie. Rilindja jonë kombëtare theksonte bashkimin. Dekadat e pas pavarësisë gjithashtu theksuan bashkimin. Edhe në dekadat më të errëta e tragjike të komunizmit shqiptarët ishin sërish të bashkuar përballë një regjimi që bëri gjithçka për të zhdukur besimin.

Për shumë kohë kjo vëllazëri ka qenë një thesar i ruajtur me fanatizëm nga ne shqiptarët. Sot atë e njeh një botë e tërë. Dhe kjo është meritë e Atit të Shenjtë që na ndihmoi ta përhapim këtë mesazh vëllazërie përtej vendit tonë.

Pa këtë investim personal të Atit të Shenjtë, histori të mrekullueshme si ajo e Malbardhës, apo sa e sa të tjera si ajo, do të ishin të destinuara të mbeteshin histori apo kuriozitete lokale. Sot ato kanë jehonë shumë përtej Shqipërisë. Me të drejtë, kjo vëllazëri e frymë bashkëjetese mund të quhet sot paja që Shqipëria i çon Europës.

Ati i Shenjtë është një nga ata njerëz që gjatë vizitës në Shqipëri por dhe gjatë gjithë punë së tij sot, njerëz të rrallë që flasin hapur, pa doreza, dhe godasin mu në zemër problemin. Problemet që ai prek janë në fakt problemet e kohës ku tonë, jo probleme teorike por probleme praktike të sfidave të sotme si ekstremizmi e konflikti. Por po aq i rëndësishëm dhe po aq jetik është mesazhi i tij social: mesazhi për varfërinë dhe pabarazinë, mundësitë e pabarabarta e nevoja për solidaritet e mbështetje për më të dobëtit e çdo shoqërie.

Ky është një mesazh po aq i bukur e frymëzues sa ai i vëllazërisë fetare. Një mesazh solidaritetit që duhet dëgjuar nga të gjithë ne. Ne jemi përpjekur t’i japim punës tonë në këtë qytet një dimension më social. I jemi përgjigjur edhe kësaj thirrje të Papës duke investuar në mencat sociale që të garantojmë të paktën një vakt të ngrohtë në ditë për çdo qytetar të Tiranës. Dhe më vjen mirë që shumë komunitete të besimit, edhe komunitete të biznesit, komunitete akademike, shkolla dhe universitete i janë bashkuar kësaj vale solidariteti për të cilën na bëri apel Papa gjatë vizitës së tij.

Mundësitë tona gjithsesi janë të kufizuara por kjo nuk do të thotë që ne të rrimë duarkryq. Patjetër që solidariteti zyrtar i Bashkisë me menca sociale, banesa sociale apo qendra sociale është një element por ky qytet dhe ky komunitet ka më shumë mundësi dhe më shumë energji se çdo zyrë apo çdo institucion shtetëror. Ashtu siç thotë dhe Ati i Shenjtë, punët e mira nuk ndodhin vetë. Punët e mira nuk bëhen vetëm duke u ankuar apo vetëm duke kritikuar por duke përveshur mengët dhe duke iu përveshur punës ku secili mund të japë një kontribut pas kësaj thirrje.

Një shoqëri më e mirë, një qytet më i mirë nuk është ai ku vetëm ankohemi por është ai ky secili i bën vetes një pyetje të thjeshtë: çfarë mund të bëj unë për ta bërë këtë qytet më të mirë, për të ndihmuar dikë që sot është në vështirësi për ta bërë një shoqëri më të mirë. Një shoqëri më e mirë është ajo që jeton sipas fjalëve të Atit të Shenjtë: “Çfarë mrekullie do të ishte, nëse në fund të ditës, gjithkush prej nesh të mund të thoshte: sot kam bërë një gjest bamirësie, sot kam ndihmuar një njeri.” I dashur Nunci Apostolik ne nuk mund të kishim menduar një vend më të mirë për vendosjen e bustit të Papës sesa një vend ku me vështrim të lirë mund të vështrohet Katedralja Ortodokse, ajo Katolike dhe Xhamia e Tiranës. Në një rreze prej 100 metrash ilustrohet fizikisht ajo që secili prej nesh e ka shpirtërisht, vëllazëria e besimit. Dua të falënderoj shumë duartartin Qazim Arifin, i cili na dhuroi këtë bust dhe këtë prani konstante të simbolit të njeriut që na frymëzoi para pak muajsh mu në zemër të qytetit tonë.

Në fund fare jam shpresë plotë që shprehja e James Jakobs që “Trotuari është hapësira më demokratike e qyteteve, përpara këtij trotuari nëse je president apo nëse je me ndihmë ekonomike, nëse je një motër e Nënë Terezës, apo nëse je një ministër apo deputetë, në këtë trotuar jemi të gjithë të barabartë”. Ndaj dhe në një luftë konstante për të liruar trotuaret i kemi dhënë një hapësirë buzëtrotuarit dikujt që na bëri të ndiheshim të barabartë dhe  të vlefshëm në sytë e zotit. Ju faleminderit shumë!

SHKARKO APP