Venecia për Xhaçkën, Bardhi i kthehet Çuçit: Ka veç një këshillë, zbatoni vendimet e Kushtetueses
Opinioni i Komisionit të Venecias për mandatin e deputetes së PS-së, Olta Xhaçka është bërë mollë sherri edhe në seancën e sotme plenare në Kuvend. Pasi foli kreu i grupit parlamentar të PS-së, fjalën e mori Gazment Bardhi. Ky i fundit i tha Bledi Çuçit se në opinion nuk përmendet asnjë nga deklaratat e tij dhe nënvizoi rëndësinë e respektimit të Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
”Në këtë opinion nuk ka asnjë fjalë nga këto që thua ti. Unë kam dokumentin këtu ti thua njoftimi për shtyp. Komisioni i Venecias ka bërë historik në pikën 11, në 2016 ku grupi i PD-së kishte qëndrimin para Gjykatës Kushtetuese që e drejta për ta vënë në lëvizje ishte e pakushtëzuar për 1/5.
Gjykata Kushtetuese na tha jo zotërinj nuk legjitimoheni, t’i drejtoheni me 1/5. Pavarësisht se mendonim ndryshe iu bindëm vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Pas këtij vendimi ndryshoi ligji. Pastaj rishikoi në GJK dhe tha ndryshojeni sa të doni ligjin.
Ne jemi këtu për të përfituar pasuri publike për vete. Jemi këtu për interesin tonë apo publik? Jemi këtu për të respektuar kushtetutën apo për të respektuar republikën Xhaçka? Aty ka vetëm një këshillë, Kuvendi të zbatoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Çdo gjë tjetër është dëshira juaj”,-tha Bardhi.