Venecia vendos taksë të re për të mbajtur nën kontroll fluksin e vizitorëve
VENECIA, Itali – Një program pilot filloi në qytetin italian Venecia që synon të vendosë nën kontroll fluksin e vizitorëve të shumtë që mbërrijnë në këtë qytet turistik dhe të lehtësojë jetën e banorëve. Nga e enjtja vizitorët do të duhet të paguajnë 5 Euro për të hyrë në qytet në ditët më të ngarkuara të vitit.
Vizitorët e parë që mbërritën në qytet u përballën me tabela të mëdha ku janë radhitur 29 data të ndryshme deri në muajin korrik, gjatë të cilave do të ketë edhe hyrje të veçanta në qytet për vizitorët, banorët, studentët dhe punëtorët.
“Duhet të gjejmë një balancë të re mes turistëve dhe banorëve”, tha Simone Venturini, drejtuesi i turizmit për qytetin e Venecias. “Duhet të ruajmë hapësirat për banorët dhe të dekurajojmë ardhjen e vizitorëve ditorë në periudha të caktuara”.
Sidoqoftë, jo të gjithë banorët janë të bindur për efektshmërinë e këtij sistemi të ri që dekurajon turizmin masiv. Ata këmbëngulin se vetëm një rigjallërim i popullsisë vendase do të rikthente balancën në këtë qytet ku rrugicat e ngushta dhe varkat që shërbejnë si taksi janë shpesh të mbingarkuara me turistë.
Qindra venecianë protestuan kundër programit të ri, duke marshuar drejt stacionit kryesor të autobuzëve të qytetit, me parrulla si “Jo biletave, Po shërbimeve dhe strehimit”. Ata u përballën me policinë që ua ndaloi hyrjen në qytet, duke i detyruar të ndryshonin drejtimin dhe të hynin nëpërmjet një ure, ndërsa shoqëroheshin nga policë të veshur civilë. Demonstrata u përmbyll paqësisht në një shesh të qytetit.
Turistët që mbërritën në qytet u pritën nga gazetarë të shumtë dhe punonjës që i orientonin për rregullat e reja dhe i ndihmonin se si të merrnin në celularë kodin QR për të bërë pagesën e taksës së re.
Vizitorët që vinin nga qytetet e tjera të Italisë thanë se u ndjenë të habitur ndërsa iu kërkua të paguanin për të hyrë në një qytet të vendit të tyre, ndërsa i orientonin drejt hyrjeve të caktuara për turistët.
Pasi kaloheshin procedurat e hyrjes, vizitorët priteshin nga punonjës të veshur me jelekë të verdhë që bënin kontrolle të herëpashershme në stacionin e trenit. Shkelësve iu vendosën gjoba nga 50 deri në 300 Euro, por zyrtarët thanë se po tregonin më shumë mirëkuptim në këtë fazë fillestare të programit të ri.
Venecia ka përjetuar prej kohësh trysninë e turizmit të mbingarkuar dhe zyrtarët shpresojnë që projekti pilot mund të ofrojë shifra më të sakta për ta menaxhuar më mirë këtë dukuri.
Qyteti është në gjendje të monitorojë numrin e vizitorëve që regjistrohen nëpër hotele. Vitin e kaluar ishin 4.6 milionë dhe kjo është një shifër 16% më e ulët se nivelet e larta përpara pandemisë. Por, numri i turistëve ditorë, që janë shumica e vizitorëve në Venecia mund të përllogaritej vetëm bazuar në hamendësime. Një zyrë operacionale që u krijua në qytet gjatë pandemisë filloi të gjurmojë numrin e të ardhurve nëpërmjet të dhënave të celularëve. Ky monitorim i ri konfirmoi vlerësimin e bërë para pandemisë për rreth 25 deri në 30 milionë vizitorë në vit, tha Michele Zuin, drejtuese për çështjet ekonomike të qytetit. Në këtë shifër përfshihen të gjithë vizitorët, ata ditorë dhe ata të regjistruar nëpër hotele