Vengu pritet nga homologu francez, mbështetje industrisë ushtarake
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu gjatë vizitës në Francë zhvilloi një takim me homologun francez Sébastien Lecornu. Vengu u shpreh mirënjohës ndaj homologut francez për vëmendjen kushtuar Shqipërisë dhe rolit të saj në sigurinë dhe stabilitetin e Evropës Juglindore.
Në takim u diskutua rreth projekteve konkrete në të ardhmen e afërt për modernizimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe zhvillimin e kapaciteteve të reja mbrojtëse, në përputhje me objektivat e përbashkëta të NATO-s.
”Në vijim të thellimit të marrëdhënieve dypalëshe, veçanërisht pas vizitave të ndërsjella të presidentit Macron dhe kryeministrit Rama dhe nënshkrimit të marrëveshjeve ndërqeveritare të nivelit më të lartë, bashkëpunimi ynë mbështetet edhe në dimensionin gjithnjë e më të rëndësishëm të industrisë ushtarake”, nënvizoi ministri Vengu në një postim në rrjetet sociale.