Vera me e nxehtë, temperaturat thyejnë 400 rekorde

Rreth 400 rekorde të temperaturave më të larta të kohërave janë thyer në hemisferën veriore gjatë verës. Sipas një analize të hollësishme, rekordet janë thyer në 29 vende në periudhën nga 1 maji deri më 30 gusht.

Një e treta e temperaturave më të larta të regjistruara ndonjëherë janë regjistruar në gjermani, pasuar nga Franca dhe Holanda. Analiza është kryer nga instituti kalifornian i klimës, Berkeley Earth.

Gjatë verës, kishte 1200 vende në hemisferën e veriut më të nxehta se kurrë më parë. Të dhënat përfshijnë matje nga stacionet meteorologjike në hemisferën e veriut, që kishin të paktën 40 vite regjistrim të dhënash.

Vala e të nxehtit në Evropë, në qershor dhe korrik bëri që temperaturat të rriteshin në ekstrem duke thyer një numër rekordesh lokale dhe kombëtare.

Franca regjistroi temperaturën më të lartë të kohërave, 46 gradë celcius, ndërsa Britania, Belgjika, Gjermania, Luksemburgu dhe Holanda po ashtu raportuan rekorde të tjera. Më shumë se 30 rekorde janë thyer vetëm në Shtetet e Bashkuara. Në Japoni, ku 11 persona humbën jetën si rezultat i valës së të nxehtit në verë, u regjistruan 10 rekorde.

Stina e verës, në total, shënoi 396 temperatura rekord. E sipas ekspertëve, e gjithë kjo tregon qartë, se rekordet janë pjesë e një tendence afatgjatë të ngrohjes globale.

SHKARKO APP