Vërshojnë hajdutët në zonat e tërmetit, policia arreston tre persona
Tërmeti i rëndë i 26 nëntorit ka bërë që qytetarëve në zonat e prekura nga tërmeti t’u shtohet një tjetër shqetësim: hajdutët.
Prej ditësh mediat raportojnë se qytetarët janë të shqetësuar nga ky fenomen. Ndërkohë të premten, policia tha se ka ndaluar tre hajdutë, një në Durrës dhe dy në Krujë.
Njoftimi i policisë
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, në kuadër të planit të masave për garantimin e rendit e sigurisë, si dhe parandalimin e vjedhjes së pronës, ka shtuar masat e kontrollit dhe të prezencës së Policisë në territor, në të gjitha ato zona, ku banesat janë braktisur nga banorët si pasojë e tërmetit.
Si rezultat i kontrolleve të shtuara, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës u arrestua në flagrancë shtetasi L. T., 42 vjeç, banues në Durrës, pasi u kap në flagrancë duke vjedhur në një pallat në lagjen nr. 17, Durrës.
Në Krujë, pas informacionit të marrë në rrugë operative se dy të rinj nga Shkodra, të cilët ishin duke qarkulluar me një automjet do kryenin vjedhje në zonën e Krujës, shërbimet e Policisë kanë bërë bllokimin e automjetit dhe të dy të rinjve që ndodheshin në të.
Nga kontrolli i ushtruar në brendësi të automjetit, Policia gjeti dhe sekuestroi mjete që shërbenin për hapjen e dyerve të banesave dhe të automjeteve, doreza e pajisje të tjera që do shërbenin për të realizuar vjedhjet.
Në përfundim të veprimeve të para u bë arrestimi në flagrancë i drejtuesit të automjetit, shtetasit E. R., 25 vjeç, banues në lagjen Dobrac, Shkodër, i dënuar më parë dhe i pasagjerit shtetasit N. P., 23 vjeç, banues në Shkodër.
Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Sigurimi i mjeteve për vjedhje”, në bashkëpunim.