Vesa Llanaj Liço emërohet drejtoresë e ZVA në Elbasan

Vesa Llanaj Liço merr zyrtarisht detyrën si Drejtoreshë e Zyrës Vendore Arsimore Elbasan.
Nënkryetares së Bashkisë së Elbasanit, prej 5 vitesh, i besohet një pozicion i ri drejtues në një nga sektorët më të rëndësishëm vendor.
Liço u emërua në këtë detyrë pas dorëheqjes së  Ermir Çelës, i cili e mbajti këtë post prej dy vitesh.
Emërimi i Liços në këtë detyrë nuk është i rastësishëm, por pasojë e një kariere të ndërtuar me punë dhe përkushtim.
Teksa prej disa vitesh ishte e angazhuar në sektorin privat, në vitin 2016 Vesa Llanaj Liço merr besimin e Kryetarit të Bashkisë si Përgjegjëse e Protokollit Zyrtar pranë Bashkisë së Elbasanit.
Në vitin 2018 Liço emërohet Drejtoreshë e Politikave të Arsimit dhe Rinisë në Bashkinë e Elbasanit.
Pikërisht ky sektor e afroi Liçon me politikat arsimore, projektet dhe përpjekjet e vazhdueshme për evoluimin e sistemit arsimor drejt standardeve europiane.
Në kontakt të vazhdueshëm me mësues, edukatorë e nxënës, duke ndjekur në vijimësi dhe duke këmbëngulur për më shumë investime në shkolla e kopshte, Vesa Liço ishte personi më i përshtatshëm të cilit Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu i besoi mes shumë kandidaturave.
Nga viti 2019 e në vijim Vesa Liço mban postin e Nënkryetares së Bashkisë Elbasan ku sërisht në varësi të saj, mes të tjerave ka pasur në fokus Drejtorinë e Politikave të Arsimit dhe Rinisë.
Në të gjitha detyrat publike që i janë besuar, Liço ka treguar, në radhë të parë, respekt në zbatimin e ligjeve dhe më pas korrektësi e përgjegjshmëri në detyrën parësore të shërbimit ndaj qytetarit.
Bijë e dy prindërve arsimtarë, për Vesa Liçon, pozicioni drejtues në ZVA Elbasan sjell me vete edhe një ndjeshmëri personale dhe përbën një sfidë edhe më të madhe ta çuar përpara trashëgiminë e arsimdashësve elbasanas.

SHKARKO APP