Vetëvarja e 10-vjeçarit për videon në Tik-Tok, shokët i lënë në bankë një tufë me lule të bardha
Nasiri është nxënësi 10-vjeç i klasës së katërt në shkollën “At Gjon Karma” në Gurin e Zi, i cili dyshohet se humbi jetën ndërsa po realizonte një video të cilën donte ta hidhte në Tik-Tok, dhe sot në bankën e tij ishte vendosur një tufë me lule të bardha, si kujtim nga shokët dhe shoqet.
Punonjësja sociale, Rovena Zenelaj, thotë se pandemia ka rritur së tepërmi përdorimin e internetit dhe rrjeteve sociale nga nxënësit, ndaj ajo ka një apel për prindërit që të kenë kujdes të shtuar dhe të monitorojnë fëmijët e tyre.
“Ngjarja është shumë e rëndë që ka prekur mësuesit dhe nxënësit e shkollës dhe mbarë komunitetin. Nxënësi nuk ka shfaqur asnjëherë shenja depresiviteti apo depresioni, por ka rënë pre e rrjeteve sociale. Duhet të rrisim kujdesin ndaj qasjes në internet të fëmijëve, përdorimit të telefonave, tabletave apo kompjuterave. Të bëjmë kujdes dyfish ndaj përdorimit të rrjeteve sociale në mënyrë që të shmangim akte të tilla po të ngjashme si këto”.
10-vjeçari dyshohet se po e realizonte videon kur ishte i vetëm në shtëpi. Prindërit gjetën fëmijën kur u kthyen në shtëpi pas disa orësh. Policia nuk ka konfirmuar se vetëvarja ndodhi për shkak të rrjeteve sociale.