Vetëvrasja e studentes, dyshimet e grupit hetimor dhe fjalët e nënës së saj

 

Grupi hetimor ende nuk ka raportin përfundimtar mbi vrasjen e studentes së Fakultetit Ekonomik, Klea Shyti, 20 vjeçarja nga Fieri, e cila i dha fund jetës duke u hedhur nga lartësia e një pallati, në një ngjarje tronditëse për opinionin publik.     

Hetuesit tashmë janë në kërkim të shkaqeve që çuan në ngjarjen tragjike. Përveç dëshmive që u janë marrë familjarëve  dhe miqve të saj më të afërt, apo edhe personave që janë shoqëruar gjatë ditëve të fundit me studentët, hetuesit kanë sekuestruar telefonin e  vajzës që mbante me vete në momentin kur ka kryer vetëvrasjen, si një provë për të vërtetuar se me kë ka folur dhe nëse Klea Shyti ka qenë e kërcënuar apo e shantazhuar para se të vetëvritej.     

Gjithashtu ata i kanë kërkuar të dhëna të imtësishme mjekëve ligjorë për praninë e ndonjë substance apo kimikati në trupin e vajzës 20- vjeçare që është vetë-hedhur nga kati i 11-të.

Hetuesit dyshojnë se një situatë ekstreme në momentet e fundit para vetë-hedhjes, ka qenë shkak i veprimit të kryer nga 20- vjeçarja dhe po hetojnë nëse ka qenë e kërcënuar apo e dhunuar. Vetëm 30 minuta para se të hidhej nga pallati, studentja Klea Shyti kishte folur në telefon me familjarë të saj të afërm dhe me konkretisht me të ëmën.

Në këtë telefonatë ajo kishte biseduar normalisht pa lënë asnjë dyshim.

Hetuesit megjithatë dyshojnë se 20-vjeçarja mund të ketë pasur ndonjë debat apo përplasje të fortë emocionale me persona të tjerë, para se të kryente aktin e vetëvrasjes.

Vajza 20-vjeçare, studente e vitit të dytë në Fakultetin Ekonomik, e dalluar në mësime, i dha fund jetës duke u hedhur nga 11 kate lartësi mbrëmjen e së mërkurës rreth orës 21:00, duke tronditur jo vetëm ata që e njihnin por edhe opinionin publik.

Klea Shyti u hodh nga pallati në anë të Rrugës së Kavajës, pranë zonës së njohur si “Parku i Autobusëve”, në rrugën që të çon te pallati me shigjeta.

Motivi ngjarjes nga hetimet deri tani dyshohet të jetë mbyllja e një historie dashurie nga ana e 20-vjeçares me një bashkëmoshatar të saj. Vajza, siç edhe është pranuar edhe nga hetuesit, muajt e fundit ka pasur disa kontradikta me partnerin e saj dhe madje disa orë para vetëvrasjes kishte pirë edhe kafen e fundit me të.

Vajza është gjetur e vdekur në vend në mes shkallëve të pallatit dhe pas autopsisë paraprake të kryer në morg dhe këqyrjes së vendngjarjes, apo edhe pyetjes së dëshmitarëve, grupi hetimor ka hedhur deri tani poshtë versionin e vrasjes, duke e klasifikuar ngjarjen si vetëvrasje.

Nëna e vajzës që u vetëvra, në Polici: Çfarë dija për lidhjen e saj

Kam qenë në dijeni për lidhjen e dashurisë që vajza ime ka pasur me një djalë. E dija që shkonin mirë dhe kishin mbetur miq. Nuk mendoja kurrë se vajza ime do të merrte vendimin t’i jepte fund jetës së saj”.

Kështu ka deklaruar para oficerëve të Komisariatit Nr.2 në Tiranë, e ëma e 20-­vjeçares Klea Shyti studente në vitin e parë të Fakultetit Ekonomik, e cila i dha fund jetës duke u hedhur nga kati i 11-­të i një pallati te “Rruga e Kavajës”, në afërsi të ish-­Parkut të Autobusëve, për ‘Gazeta Shqiptare”.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës, rreth orës 21:00. Të resë iu gjet në njërën dorë karta e identitetit, ndërsa në xhep aparati celular. Një ditë pas ngjarjes, grupi hetimor mori në pyetje familjarët e vajzës si dhe disa nga shoqet e saj më të ngushta. E mbuluar nga lotët, nëna e së ndjerës, në pamundësi për të besuar atë se çfarë ishte duke përjetuar, ka treguar në polici se me K. ka qenë e lidhur më shumë se nënë e bijë.

“Kishim shumë afrimitet me njëra­-tjetrën”, tregon nëna. Ajo më tregonte gjithçka bënte, nuk më mbante të fshehta. Më ka treguar edhe për lidhjen që kishte pasur.

Më ka thënë që kishin mbetur thjesht miq”, – është shprehur nëna e së resë. Ndërkaq, burime pranë policisë pohuan se e ëma e 20-­vjeçares ende nuk e besonte atë që kishte ndodhur.

“Çdo gjë më duket si e pavërtetë. Nuk e besoj dot këtë që më ndodhi, gjithçka më duket bosh. Asnjëherë nuk ka pasur probleme më përpara. Klea ishte vajzë e mrekullueshme. Edhe në shkollë ishte vajzë e mirë, mësonte shumë”, – ka treguar ajo më tej.

 

Vetëvrasja, Prokuroria dhe Policia hetime për shkaktarin

Policia dhe Prokuroria e Tiranës kanë nisur hetimet me akuzën “shkaktim vetëvrasjeje” në lidhje me hedhjen nga lartësia të 20- vjeçare, Klea Shyti, studentes së Ekonomikut. Djali që pretendohet se ka qenë shkak i këtij akti, është marrë në pyetje dhe ka thënë se ka pirë kafe me të dhe nuk i kishte dhënë përshtypjen se do të merrte  një akt të tillë.

Ai po ndiqet i lirë, ndërsa policia vazhdon hetimet dhe po pret përfundimit e autopsisë për të vërtetuar nëse vajza ka përdorur ndonjë substancë të ndaluar që mund të ketë ndikuar në gjendjen e saj psikologjike, apo nëse është ushtruar dhunë ndaj saj para se të merrte edhe aktin e vetëvrasjes. .

Nga hetuesit e çështjes, së Komisariatit nr. 2 të Policisë së Tiranës, ngjarja e ndodhur më datë 23.12.2015, në rrugën “Babe Rexha”, po hetohet si “shkaktim vetëvrasjeje”. Pra, do të thotë se po hetohen persona të tjerë që mund ta kenë çuar në këtë akt.  

“Në lidhje me ngjarjen ku shtetasja Klea Shyti, banuese në rrugën “Thanas Ziko” ka rënë nga lartësia dhe ka gjetur vdekjen e menjëhershme, po punohet për sqarimin e plotë të rrethanave”, kanë thënë burimet e policisë.

Pas gjetjes së trupit të pajetë të studentes, kufoma e vajzës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në kryeqytet, ku janë kryer autopsia dhe ekzaminimet e tjera. Nga ekspertët e Mjekësisë Ligjore pritet hartimi i një raporti të hollësishëm që hetuesit të hedhin edhe më shumë dritë mbi shkakun e vërtetë dhe rrethanat e vdekjes së vajzës 20-vjeçare.

SHKARKO APP