Vetëvrasjet e pacientëve, flet mjekja e QSUT: Telefonatat lejohen

Vetëvrasjet në spitalin universitar ”Shefqet Ndroqi”, ku po trajtohen pacientët e infektuar me Covid-19, ka vendosur në pikëpyetje kujdesin ndaj shëndetit mendor brenda institucionit. Pas reagimit të psikologëve, Entela Kolovani, mjeke në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në një intervistë për News24, u shpreh se shumë faktorë ndikojnë në përkeqësimin e gjendjes psikologjike të pacientëve dhe zbuloi të tjera detaje.

Mbi ndryshimin e gjendjes psikologjike? ”Ka mjaft faktorë që mund të shoqërohen edhe me një ndryshim psikologjik të këtyre pacientëve. Në radhë të parë është vetë sëmundja, e cila shoqërohet me vlera të ulëta të oksigjenimit në gjak. Ky gjak i paoksigjenuar që përhapet në të gjitha organet e trupit bën që këto organe të vuajnë. Të njëjtën gjë bën edhe truri, që nëse nuk oksigjenohet mjaftueshëm, vuan. Në këtë mënyrë, pacienti në momente të caktuara mund të shfaq ndryshime të sjelljes, që lidhen direkt me sëmundjen. Por, edhe mungesa e familjarëve, terapia intensive, ajo që kanë dëgjuar mbi sëmundjen, janë faktorë të tjerë që mund të cojnë në ndryshime psikologjike të pacientëve”.

Mbi praninë e mjekëve psikiatër në ambientet spitalore? “Sigurisht që ju kemi bërë konsulta, kur pacienti paraqet problem ekstrem, për t’i bërë një qetësim të lehtë nga ana psikologjike”. Mbi komunikimin me familjarët “Kur pacientët paraqiten për shtrim, kanë me vete telefonat e tyre, me të cilët komunikojnë në mënyrë të vazhdueshme me familjarët. Në asnjë moment ne s’i kemi penguar telefonat, por është vetë sëmundja, që ua bën të pamundur komunikimin pacientëve. Gjithsesi ne kemi një numër telefoni të familjarëve për çdo pacient, për të dhënë një informacion të shkurtër lidhur me situatën e tyre”.

Mbi lejimin e video-telefonatave? ”Patjetër, shpesh pacientët bëjnë video-call me familjarët e tyre. Çdo ditë ne komunikojmë duke dhënë informacion për çdo pacient. Nëse kemi ndryshim dhe agravim të situatës, sigurisht që bëhet në çdo moment komunikimi te familjarët. Për pacientët në gjendje stabël, komunikimi është 1 herë në 24 orë”.

SHKARKO APP