Vetingu nis punën me masa të rrepta higjiene. Dezinfektues dhe 2 metra distancë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pritet të nisë punën së shpejti dhe për këtë ka publikuar një protokoll me rregulla, që do të ndiqen gjatë periudhës së epidemisë Covid-19.

Ashtu si dhe institucione të tjera në vend që kanë nisur punën, edhe KPK-ja do të zhvillojë seanca, mbledhje dhe veprime në kuadër të hetimit administrativ ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve, në masa të rrepta higjienike.

“Në vijim të njoftimit të datës 12.03.2020, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se, megjithëse nuk e ka ndërprerë për asnjë çast aktivitetin e tij, pavarësisht kushteve të karantinës, në sajë të punës intensive nëpërmjet ‘telework’, tashmë do të kthehet në normalitet, duke mundësuar kthimin e stafit në zyrë, duke respektuar kufizimet e vendosura si rrjedhojë e situatës së pandemisë së shkaktuar nga përhapja e COVID-19. Marrëdhëniet me publikun për administrimin e denoncimeve do të vazhdojnë të jenë të kufizuara, duke u pranuar nëpërmjet postës elektronike ose postës së zakonshme, duke shmangur kontaktin e drejtpërdrejtë me publikun”, njoftoi KPK-ja.

Sipas protokollit të bërë publik, stafi dhe anëtarët e Komisionit duhet të zbatojnë rregullat për masat e higjienës dhe të distancimit social, në përputhje me rekomandimet dhe protokollet e miratuara nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), në funksion mbrojtjes së shëndetit për parandalimin dhe kufizimin e transmetimit të infeksionit COVID-19, në ambientet ku zhvillojnë veprimtarinë.

Përpara se të hyjë në institucion, çdo punonjësi dhe anëtari të Komisionit duhet t’i kontrollohet temperatura me anë të termometrave të posaçëm për matjen në distancë dhe më pas të lejohet ose jo hyrja në institucion.

Hyrja në institucion e çdo punonjësi, staf i Komisionit ose jo, duhet të bëhet nëpërmjet tunelit të dezinfektimit. Çdo punonjës dhe anëtar i Komisionit duhet të pajiset nga institucioni dhe duhet të përdorë mjetet mbrojtëse për shëndetin, maska higjienike dhe doreza, si barrierë fizike për parandalimin dhe minimizimin/ kufizimin e përhapjes së infeksionit në ambientet ku punojnë. Në ambientet e brendshme të Komisionit dhe ato të përbashkëta të punës (holle, shkallë dhe korridore) duhet të përdoren dezinfektantë.

Gjatë kohës së punës në institucion, çdo punonjës duhet të zbatojë rregullat e higjienës për larjen e shpeshtë të duarve me sapun, tharjen me peshqirë njëpërdorimsh, hedhjen e tyre në kosha të mbyllur për eliminimin dhe mospërhapjen e mbetjeve, si dhe të bëjë dezinfektimin e duarve, të sipërfaqes së pajisjeve dhe mjeteve që përdor në vendin e tij të punës.

Stafi i Komisionit është i detyruar të respektojë informacionin e afishuar brenda institucionit me rregullat për higjienën dhe distancimin fizik prej 2 metrash nga njëri-tjetri.

SHKARKO APP